Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës, tha se e kanë lënë fatin e shqiptarëve të fshatrave veriore të Kosovës i kanë lënë në dorën e Listës Serbe.

Selimi gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës tha se në Veri është duke u bërë spastrim etnik dhe ndryshim i dhunshëm i demografisë.

“Meqë më rastisi me fol pas përfaqësuesit të Qeverisë, po me bjen me tregu që ja çfarë keni ba për shqiptarët atje. Fatin e shqiptarëve në fshatrat veriore e keni lanë në dorën e Listës Serbe që na tregon neve çka kanë ba për shqiptarët atje. Qe ku i keni, që ku e keni lanë fatin e tyre”, tha Selimi.

“Në Veri të Kosovës po vazhdon ende dhuna dhe përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. E ata që u përzunë nuk po lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Në Veri po vazhdon zbatimi i dhunshëm i ndryshimit demografik me anë të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve dhe me anë të kolonizimit, me kolonë serbë të ardhur nga Serbia”, tha Selimi në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të intervenojnë menjëherë për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe sovranitetin e vendit.

“Atje bëhet fjalë për mos lejimin e shqiptarëve të pakicave të tjera të jetojnë nëpër shtëpitë e tyre. Për të jetuar të gjithë të lirë dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, atëherë duhet që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të KOsovës të veprojnë menjëherë kundër bandave të Serbisë në mbrojtje të sovranitetit dhe shqiptarëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Selimi.