Ish-kryetari i DR-së, Imer Selmani ka folur për ofensivën e VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj për të ndërtuar një imazh pozitiv tek shqiptarët. Sipas tij, janë të kota tentimet dhe intervistat e realizuara jashtë Maqedonisë, gjegjësisht në Kosovë të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Selmani për TV21 ka theksuar se Gruevski ka investuar gjëra të këqija ndaj shqiptarëve gjatë qeverisjes së tij të kaluar.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, tashmë udhëheqës i opozitës në këtë vend, Nikolla Gruevski, ka thënë se nuk e sheh aspak me sy të mirë koalicionin ndërmjet Zoran Zaevit e Ali Ahmetit.
“Shqiptarët nuk janë të njoftuar mirë me anët negative të LSDM’së, dhe nëse ata i ofrojnë diçka, do të kapen në rrjetën. Dhe u kapën në rrjetën”, është shprehur Gruevski, gjatë një interviste në Klan Kosova.
“Lejoni që të kalojë një vit ose dy, dhe të flasim sërish se çfarë do të ndodhë. Shqiptarët u kapën në rrjetën e LSDM’së”, ka thënë ai më tej.
E kalimin e BDI’së në krahun tjetër, kreu i VMRO-DPMNE e cilësoi thyerje të rregullave, që e bënë vetë krerët e saj.
Gruevski foli edhe për komunat shqiptare, dhe investimin që u bë në to, sa ishte kryeministër.
Ai pohoi se buxhetin e kishte ndarë njëjtë, si për komunat maqedonase, ashtu edhe për ato shqiptare. /Express/