Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje kronike progresive, degjenerative e trurit. Shfaqet kur disa qeliza nervore të trurit dëmtohen ose vdesin. Këto qeliza prodhojnë një produkt kimik, që ndihmon në koordinimin e lëvizjeve të muskujve të trupit. Kur 80 % e qelizave që prodhojnë dopaminën, dëmtohen ose vdesin shfaqen shenjat e sëmundjes.

Kush preket nga M.Parkinson?

Preken të dyja gjinitë njësoj, si meshkujt dhe femrat. Prek më tepër moshën 65 vjeç, por ndodh dhe nën moshën 50 vjeç.

Supozohet se manifestimi i sëmundjes, është pasojë e ndërveprimit të faktorëve gjenetikë dhe të atyre mjedisorë. Megjithatë, defekti gjenetik mund të identifikohet vetëm në rreth 10 % të rasteve dhe nuk është konstatuar ndonjë faktor mjedisor, që shkakton sëmundjen.

Faktorët mjedisorë janë: të jetuarit në fshat, konsumimi i ujit të pusit, përdorimi i pesticideve dhe prania në impiantet industrial.

Shenjat klinike të M. Parkinson janë vetëm tre:

Dridhja (tremor) në qetësi.
Shtangimi (rigiditet).
Ngadalësimi i lëvizjeve (bradikinezia).
Këto tre ankesa mund të mos shfaqen njëkohësisht. Njëra prej tyre, mund të jetë ankesa prezantuese dhe të vazhdojnë të tjerat.

Për të vënë diagnozën e M. Parkinson, nevojitet gjithsesi ekzistenca e dy prej tre shenjave të sipërpërmendura.

Simptomat zakonisht përparojnë ngadalë dhe zakonisht janë asimetrike, që do të thotë, janë më të shprehura në njërën gjysmë të trupit.

Manifestimi më i shpeshtë është dridhja e njërës dorë, derisa dora apo krahu janë duke pushuar. Derisa individi, apo të afërmit e vënë re këtë dridhje, shtangimi që mund të kapë po atë dorë apo krah, mund të kalojë pa u hetuar. Tek këta individë, lëvizjet u ngadalësohen. Vështirësohen rrotullimet në shtrat, ngritja nga pozicioni shtrirë, në atë ulur në këmbë. Ecja e individit shkon duke u bërë gjithnjë e më tepër me hapa të ngadalësuar, trupi gjatë qëndrimit në këmbë dhe ecjes kërruset përpara, krahët e humbin lëvizshmërinë anësore, para-prapa gjatë ecjes. Fytyrës së individit i humbet mimika dhe quhet si “fytyrë me maskë”. Të folurit është i ngathët, monoton, pa luhatjet vokale, emotive dhe gramatikore.

Kapakët e syve mbyllen me rritëm të ngadaltë dhe gëlltitja vështirësohet. Karakteristikë është zvogëlimi i shkronjave gjatë të shkruarit. Përveç këtyre simptomave motorrike, duhet të kemi parasysh dhe simptoma jo-motorrike, që mund t’u paraprijnë simptomave të lartpërmendura klasike të M. Parkinson. Shumë pacientë ankohen për pakësimin e funksionit nuhatës. Një ankesë tjetër e shpeshtë është lëvizja e shpejtë e syve REM. Konstipacioni (kapsllëku) dhe gjumësia e tepërt gjatë ditës, janë ndër ankesat e tjera të shpeshta që dëgjohen shpesh si ankesa te këta individë.

Si vendoset diagnoza e M. Parkinsonit?

Procesi i diagnostikimit, mund të jetë i vështirë sepse nuk ka imazheri, apo analiza që mund të konfirmojnë plotësisht sëmundjen e Parkinsonit. Neurologu arrin në diagnozë pas ekzaminimit klinik. Testet e gjakut dhe imazheria, performohen që të përjashtojnë sëmundje të tjera, që mund të prezantohen me të njëjtat simptoma. Personat e dyshuar për sëmundjen e Parkinsonit, duhet të kërkojnë vizitën e neurologut për diagnostikimin dhe trajtimin e mëtejshëm.

A është sëmundja e Parkinsonit e trashëguar?

Ka një histori familjare mbi sëmundjen e Parkinsonit, në 10 % të rasteve. Mund të prekë më tepër njerëz të një gjenerate (p.sh motër, vëlla), ose në dy gjenerata (baba, bir).

Toksinat ambjentale si magnezi, monoksidi i karbonit dhe rrallë disa pesticide, mund të shkaktojnë një sëmundje që ngjan me sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë shumica e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje, nuk janë ekspozuar ndaj këtyre toksinave. Disa mutacione gjenetike, janë zbuluar të jenë shkak i sëmundjes në disa familje, por këto nuk gjenden në shumicën e atyre që vuajnë nga Parkinsoni.

Studimet në binjakët identikë, në të cilin njëri ka shfaqur sëmundjen, nuk kanë treguar ndryshime nga popullsia normale e pacientëve mbi 60-vjeç. Megjithatë dhe në binjakët identikë më të rinj se 50-vjeç, nëse njëri ka sëmundjen edhe tjetri ka risk të shtuar, që ta ketë në të ardhmen. Kjo tregon se trashëgimia ka rol në rastet kur sëmundja shfaqet në moshë të re.

Si mjekohet M.Parkinson?

Ka një numër medikamentesh efektivë që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të Parkinsonit. Shumica e simptomave, janë të shkaktuara nga mungesa e dopaminës. Medikamentet janë prodhuar për të zëvendësuar dopaminën. Mjekimet e zakonshme janë : Levodopa Amantadina, Comt-inhibitorët, Antikolinergjikët etj. Në fund është dhe trajtimi kirurgjikal.