Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që po shoqërohen me incidente dhe situata të tensionuara, po reflektojnë pasiguri tek fqinjët.
Periudha e vështirë në të cilën Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe kapacitet e saj për të menaxhuar tensionet dhe situatat konfliktuale shihen me skepticizëm nga analistët, shkruan gazeta KOHA. Sipas tyre, efektet politike për Maqedoninë, apo rajoni në përgjithësi do të jenë të pashmangshme. Madje, kjo situatë, sipas tyre, mund të përdoret nga Serbia, që nëpërmjet Kosovës të destabilizojë të gjithë shqiptarët.
Në këto momente, kur Kosova po hyn në fazën finale të dialogut më Serbinë, ose së paku kështu shpresohet nga të gjithë, gjendet në pozicionin më delikat.
Analisti Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Politika, thotë se kjo fazë është më e vështira, sepse Serbia duhet të pranojë në një farë mënyre Kosovën, por edhe Kosova të bëjë ndonjë kompromis.
“Tensionet janë të larta dhe mllefi në Kosovë, në raport me dialogun me Beogradin është i madh. Kur të ndodhë ky dialog do të këtë tensione, por edhe dialogu duhet të vazhdojë dhe tensionet të menaxhohen. Skena politike në Kosovë është e brishte dhe dialogu me Serbinë është bere shkaktar i konflikteve brenda shqiptare në Kosovë. Pra, duhet ndërtuar një qasje dhe qëndrime të përbashkëta, ashtu që Kosova të mund të arrijë marrëveshje me Serbinë”, thotë për KOHA, Rashiti. Por ai nuk i përjashton aktorët e tjerë, siç është Rusia, e cila nuk do ta shohë Beogradin duke nënshkruar traktat paqeje apo marrëveshje finale me Kosovën.
Por përkeqësimi i situatës në Kosovë mund të shndërrohet në një çështje delikate për Maqedoninë, vëren anlisti Sasho Jordanovski. Sipas tij, në rast se situata dhe zhvillimet e koklavitura në Kosovë nuk do të arrijnë të shtensionohen me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, efektet politike për Maqedoninë, të planifikuara ose spontane.
“Para së gjithash kam një frikë se mos bëhet fjalë për ndonjë lloj marrëveshje Serbi-Kosovë për radikalizmin e situatës, për shkak se atje realisht ranë poshtë të gjitha propozimet për ndarje territoriale, ato nuk gjetën as ndonjë mbështetje ndërkombëtare dhe ka mundësi që segmente të caktuara në politikën serbe dhe kosovare të merret edhe me opsione të tilla, që të kenë mundësi ta paraqesin si një kompromis që kërkohet mes të dyja palëve. Përndryshe, gjithë kjo situatë mund të reflektohet dhe të krijojë implikime rajonale dhe kuptohet edhe në Maqedoni. Në princip, mund të vijë edhe tek mundësia për ndryshimin e kufijve, që për fat të keq vlen për pozicione të ndryshme në rajon. Një gjë e tillë do të nënkuptojë një komplikim real të agjendave të ndryshme politike në të gjithë rajonin. Pra kam frikë vetëm nga efektet politike për Maqedoninë, që dikush edhe mund t’i ketë planifikuar, por edhe mund të vijnë të paplanifikuara si rezultat i zhvillimeve të atjeshme”, thotë për KOHA, Jordanovski.
Kriza e komunikimit mes përfaqësuesve në nivel shtetëror në nivel rajonal dhe ndërkombëtar , realisht reflektojnë në një formë apo tjetër, shton analisti Bashkim Selmani.
Nga ana tjetër, ai thotë se edhe pozicioni i përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe Shqipërisë në përgjithësi është i dobët. Analisti është i shqetësuar sa i përket këtyre raporteve, pasi fatkeqësisht edhe një pjesë e elementit shqiptar këto zhvillime i ndihmojnë në një formë të heshtur
“Politikanët shqiptarë jo gjithmonë i kanë gjetur rrugët e duhura dhe në të shumtën e rasteve bien viktimë e këtyre lojërave që janë në kundërshtim me interesat kombëtare. Nga ana tjetër Serbia dhe provokimet në kontuinitet, e bëjnë që të mbetet një nga faktorët e interesuar që gjithnjë Ballkani të jetë në situata shqetësuese dhe të pasigurisë. Dhe kjo është një nga problemet bazike, për arsye se nëse analizohet çështja e funksionit të saj, ajo ka qenë gjithnjë e lakmuar nga faktorë të ndryshëm, si Rusia për të nxituar dhe shkaktuar situata tensionuese. Ka përdorur dy mënyra, atë të diplomacisë së fuqishme për të treguar se është viktimë dhe në rastin tjetër kur shkakton viktima, si në rastet e ngjarjeve në Parlamentin e Maqedonisë, por edhe në Kosovë e Shqipëri ku ka përdorur elemente nxitëse”, thotë analisti.
Ai shton se faza e vështirë sapo ka filluar dhe ngjarjet e fundit në Kosovë ishin vetëm indikacionet fillestare të problemeve eventuale të cilat mund të kenë edhe pasoja më të rënda.