Në Gjykatën Penale sot sërish u anulua seancë për lëndën e PSP-së “Treqind”, në të cilën i akuzuar është ish-ndihmësministri i Punëve të Jashtme, Gjoko Popovski për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me furnizimin publik të 300 automjeteve. Seanca e re është caktuar për më 28 dhjetor, përcjell Fol.

Deri më tani gjykimi ishte shtyrë dy herë, sepse Popovski nuk vinte në gjykatë, ndërsa si shkak për mungesën e tij cekej gjendja e përkeqësuar shëndetësore e tij. Në seancën e fundit në të cilën mori pjesë Popovski, avokati i tij Boro Tasevski potencoi se i akuzuari ka ardhur në sallën e gjykatës vetëm për shkak të dyshimeve lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Sot duhej të merrej në pyetje mjeku i cili i ka dhënë pushim mjekësor Popovskit, për të dhënë sqarim për gjendjen shëndetësore, ndërkaq plotësisht me kërkesë të Prokurorisë edhe psikiatri i cili duhej të pronocohej nëse i akuzuari mund ta ndjekë gjykimin.

Popovski dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin për 453.570 euro. Sipas PSP-së, Popovski në mënyrë joligjore ka ndarë kontrata për shitblerje dhe mirëmbajtje të automjeteve të Porshe Maqedoni SHPKNJ Shkup, Ka-Dis SHPK Shkup, Bohemija Automobili Rous SHPKNJ Shkup, Kolevski SHPK Shkup dhe “Auto Kuka” SHPK Shkup të zgjedhur si oferta më të volitshme ekonomike.

Në këtë lëndë, siç kumtoi tashmë AIM, Gjykata e Apelit vendosi se bisedat e përgjuara mund të përdoren si material dëshmues. /Fol/