Agjencia për Zbulim nuk do që punonjësi i saj, Shenasi Mehmeti, të dëshmojë në rastin e “Kumanovës”. Në një shkresë zyrtare drejtuar Trupit gjykues në rastin e Kumanovës, Agjencia e Zbulimit thotë se dëshmia eventuale e Mehmetit është në kundërshtim me rolin dhe punën që ai bën në AZ, shkruan gazeta KOHA. “Prezenca e nëpunësit të AZ si dëshmitar nuk guxon të ndodhë, për shkak se një gjë e tillë është në kundërshtim me rolin që ia e kryen në këtë institucion”, thuhet në shkresën drejtuar Trupi gjykues. Me këtë rast, edhe pse ishte paralajmëruar për sot të vazhdoj gjykimi ndaj Grupit të Kumanovës, shkresa e AZ-së ka bërë që seanca të shtyhet për më 10 korrik, kur dhe pritet të fillojë faza e fundit e këtij procesi e që ka të bëjë me fjalët përmbyllëse të prokurorit, avokatëve dhe vetë të akuzuarve. Ndryshe, përkundër faktit se Trupi gjykues në krye me Verka Petrovskën, palës mbrojtëse dhe 37 të akuzuarit në rastin e “Kumanovës” kishin kërkuar që Mehmeti të dëshmojë, tashmë është e sigurt se kjo nuk do të ndodhë. Me këtë, asnjë dëshmitarë i palës mbrojtëse nuk u pranua.