Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot në Çinku, në Rumani, mori pjesë në aktivitetet dyditore për të ftuar të lartë në kuadër të stërvitjes “Saber Guardian 17“, pjesë e të cilës janë 71 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë, prej të cilëve 57 janë të vendosur në Rumani, ndërsa 14 në Hungari.

Siç njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes, Shekerinska theksoi se në stërvitjen në të cilën marrin pjesë 22 vende-anëtare të NATO-s dhe vende partnere është mundësia që të tregojmë se ARM-ja dhe Maqedonia e meritojnë që të konsiderohen partnerë të NATO-s dhe se Maqedonia e meriton që NATO të vazhdojë politikën e dyerve të hapura.

Maqedonia, theksoi ministrja, mbetet e përkushtuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe me gjerë, si dhe në përmirësimin e kushteve, pajisjes dhe kapaciteteve në Armatë.
Në kuadër të aktiviteteve dyditore për të ftuar të lartë në kuadër të stërvitjes “Saber Guardian 17“, ministrja Shekerinska realizoi takim me ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë, Adrian Cucujanu, takimi i parë midis ministrave të mbrojtjes të të dy vendeve pas dhjetë vitesh.

Të dy ministrat biseduan për avancimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje, përforcimin e kapaciteteve të ARM-së për harmonizimin me standardet e NATO-s.
Ministrja Shekerinska theksoi se përkrahja e Rumanisë për anëtarësim të Maqedonisë në NATO është me rëndësi të veçantë dhe se pranimi i Maqedonisë në Aleancë do të kontribuojë drejt përforcimit të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, citohet në njoftimin e MM-së.

Ministri Cucujanu e përsëriti transparencën dhe përkrahjen pa rezervë të Rumanisë që Maqedonia sa më shpejt të marrë ftesë për anëtarësim.