Festivali “Summer Cult XI”është përmbyllur të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë, me sukses, me ndarjen e çmimeve.

Shfaqja më e mirë e Festivalit është shpallur “Pacienti i Dr. Frojdit”, e Teatrit të Tetovës në regji të regjisorit tetovar Gent M. Çajani. Aktori më i mirë në rol kryesor luan në këtë shfaqje, Adrian Aziri dhe aktorja më e mirë në rol dytësor, Linda Shabani.

Çmimin “Regjia më e mirë” e mori regjisorja e re, Erletë Rexhepi për shfaqjen “Katër Trëndafilat”. Ndërsa aktorja me e mirë në rol kryesorësh të vlerësuar Fitore Jashari. Aktori më i mirë në rol dytësor fitoi Blendi Arifi, ndërsa çmimi Special iu nda shfaqjes nga Shqipëria, “Impromptu”.

Festivali “Summer Cult” , nga ky vit do të jep disa çmime për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” është dedikuar regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore. Gjashtë shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, janë mirëpritur nga publiku në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator.

Në natën e fundit, është dhënë shfaqja nga Teatri i Gjilanit, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi.

Ndërsa prej orës 20:00 u shfaq “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.

Programin e ka përmbyllur premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”, që trajton dramën e emigracionit. Autore, regjisore: Eli Nura. Interpretuan me plot emocion: Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli.

Drejtoresha e Cult Club dhe e Festivalit, regjisorja Eli Nura ka thënë se ky ishte edicioni më i suksesshëm i “Summer Cult”. Sipas saj, vitin e ardhshëm, do të ketë risi të tjera që do ta pasurojnë edhe më tej këtë ngjarja tradicionale.

Gjatë netëve të tjera u dhanë disa shfaqje të tjera. Katër trëndafilat” , shfaqje nga Kosova. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj.Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë: Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Publikun e ka argëtuar në fund grupin muzikor “Third Stream”.

Në jurinë e Festivalit sivjet ishin : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk munguan as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtator në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit. Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, kanë ndarë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë.

Ndërkohë u mbajt edhe Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet ishte – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, aktivistë nga shoqëria civile, diskutuan dhe nxorën disa rekomandime për mbështetjen e qëndrueshme të regjisorëve dhe krijuesve të rinj.

Festivali “Summer Cult”, është pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës.