Shilegov fjaloset me zjarrfikësit: Nëse doni shkoni, do të punësojmë të tjerë

Zjarrfikësit e Shkupit edhe sot kanë dalë në protesta, duke kërkuar paga më të mëdha.

Gjatë shprehjes së revoltës së tyre, ata janë takuar me kryetarin Petre Shilegov, me të cilin edhe kanë diskutuar herë pas here me tone të larta.

Zjarrfikësit thonë se paga prej 19 mijë denarëve që e marrin është poshtëruese, për punën që e bëjnë.

Ndërsa Shilegov i përsëriti fjalët e tij të mëhershme: “Nëse doni të largoheni, shkoni – do të shpallim konkurs për zjarrfikës tjerë”.

“Ua paguajmë shërbimet mjekësore, si dhe mundësinë për të marrë para nëse hasni në rrezik në vendin e punës. Nëse largoheni, do të punësojmë zjarrfikës të rinj. Bazë ligjore për pagat që kërkoni për momentin nuk ka. Ligji duhet të ndryshohet në qershor të vitit 2021. Më herët nuk mundet”.

Ndërsa komandanti i Brigadës Zjarrfikëse të Shkupit Vlladimir Simonovski, sot në një intervistë tha se ky problem ekziston prej vitit 2014. Ai tha se që atëherë është sjellë vendim ligjor që zjarrfikësit të marrin 20 përqind shtesë për rrezik gjatë punës.