Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” në Çair funksion me klasë të mbingarkuara, që është në kundërshtim me Ligjin për Arsim Fillor. Këtë vit numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë arrin në 86, pa llogaritur klasat me mësim tërë ditorë. Një klasë për momentin ka 43 nxënës edhe pse në ligjin për Arsim Fillor numri minimal i nxënësve duhet të jetë 20, ndërsa ai maksimal 30. Drejtoresha e shkollës, Lulieta Qerimi, deri tek e cila edhe janë ankuar prindërit e fëmijëve, thotë se tashmë deri në Komunën e Çairit ka dorëzuar kërkesë për formimin edhe të një paraleleje, kërkesë e cila është përcjellë në Ministrinë e Arsimit.

“Me regjistrimin në vitin e ri shkollore 2019/2020, i cili u bë në muajin maj, numri i nxënësve na arriti në 145 nxënës, që duhet të shpërndahen në 2 paralele. Për shkak të numrit të madh të nxënësve për mësimin klasik që e kemi vetëm me dy paralele, e pamë të nevojshme që të bëjmë kërkesë deri në Ministri të Arsimit që të na lejohet hapja e paraleles për nxënës të klasave të para me mësim klasik”-tha Lulieta Qerimi, drejtoreshë në SH.F “Hasan Prishtina”

Megjithatë ky problem nuk shfaqet vetëm në klasën e parë, por edhe në klasën e dytë me qëndrim tërë-ditorë ku në një klasë të vetme qëndrojnë 44 nxënës. Prindërit ankohen se në rrethana të tilla fëmijët e tyre e kanë të vështirë të kuptojnë mësimet, andaj kërkojnë zgjidhje të menjëhershme Arsimit.

“Klasa e 2/4 me qëndrim tërë ditorë momentalisht janë 44 fëmijë. Këtë duhet t marrin përsipër Ministria e Arsimit dhe drejtoresha që ta bëjnë edhe një klasë tjetër, që t’i ndajnë fëmijët, që të kenë kushte elementare për të mësuar”-tha një prind.

Sa i takon klasës së dytë, drejtoresha e shkollës thotë se edhe kërkesën për formimin e paraleles e ka dorëzuar në Komunën e Çairit dhe e njëjta në ditët në vazhdim do të duhet të dërgohet deri në Ministrinë e Arsimit. Nga MASH ndërkohë thonë se momentalisht po shqyrtojnë nevojën për formimin e paraleles në klasën e parë, mirëpo nuk saktësojnë se kur do të ketë vendim konkret.

“Ministri e Arsimit ka pranuar kërkesë nga Komuna e Çairit për financim të ri për në SHF “ Hasan Prishtina” dhe jemi në shqyrtim të kërkesave në përgjithësi”-thonë nga Ministria e Arsimit.

Për dallim nga shkolla “Hasan Prishtina” e cila funksionon me klasë të mbi-ngarkuara që është në kundërshtim me Ligjin për Arsim fillor, këtë vit ky problem nuk është shfaqur në shkollat e tjera të komunës së Çairit ku nga viti në vit përsëritej problemi i njëjtë i numrit të madh të nxënësve. /Alsat M/