Me mungesë të disa teksteve shkollore dhe me tekste që janë të dëmtuara dhe me gabime të shumta në përmbajtje, nxënësit do ta përfundojnë edhe këtë vit shkollor. Sa i përket mungesës së librave nëpër shkolla, ministrja e Arsimit, Renata Deskoska e hedh përgjegjësinë tek vet drejtorët e shkollave, të cilët siç thotë ajo nuk e kanë dërguar në ministri numrin e nevojshëm për tekste shkollore, për këtë vit shkollor.

“Dua të theksoj se ka pasur disa shkolla që ata vetë nuk e kanë paraqitur nevojën për numrin e teksteve shkollore. Ne pas denoncimit nga prindërit kuptuam se në disa shkolla mungojnë libra. Pastaj shërbimet tona e nxorrën gjithë korrespodencën e komunikimit me drejtorët e shkollave dhe vërejtëm se ata madje as që kanë bërë kërkesë për libra”, deklaroi Deskoska.

Meqenëse tani jemi pothuajse në përfundim të gjysëm vjetorit të parë, sipas ministres së Deskoska procedura për përkthimin e teksteve në gjuhën e caktuar në mënyrë që të mos ketë gabime sikur të atilla që hasen tani, do duhej të kishte filluar shumë më herët, kështu edhe këtë vit shkollor nxënsësit duhet të mësojnë me po këto libra.

“Ato tekste shkollore që nuk janë përkthyer në gjuhën e caktuar amë dhe që nxënsit nuk i kanë pasur vitin e kaluar, nuk do të mund ti kenë edhe këtë vit. Pra, ky ishte një proces që duhej të kaloj në procesin përkthimit….për nxënësit e caktuar që mësojnë në gjuhë të caktuar, e që kanë tekste të dëmtuara ose nuk kanë aspak libra në lëndë të caktuara. Nuk është diçka e re që ndodh vetëm këtë vit”, shtoi Deskoska.

Ndërkaq, shumë herë në tekste janë hasur fjalë ofenduese dhe me informata të gabuara për shqiptarët, libra me gabime skandaloze profesionale si dhe gabime drejtshkrimore dhe me po të njëjtat libra nxënësit do ta përfundojnë edhe këtë vit shkollor./Shenja