Instituti për Shëndet Publik i Maqedonisë bëri të ditur se këto janë hulumtime të mbështetura nga Twinning projekti i Bashkimit Evropian (BE), i cili ka për qëllim përforcimin e kapaciteteve për vlerësim të rreziqeve shëndetësore nga ajri i ndotur.
Dragan Gjorgjev nga Instituti për Shëndet Publik i Maqedonisë, duke marrë shembull qytetet më të afërta me vendin si Bukureshti dhe Budapesti, në të cilat sipas tij, grimcat PM 2.5 në mesatare vjetore janë rreth 30-40 mikrogramë, në Maqedoni këto grimca të dëmshme janë regjistruar deri në 70 mikrogramë.
“Këto të dhëna tregojnë se prania e grimcave PM 2.5 tek ne është gati dy herë më e madhe. Kjo tregon se kemi edhe një barrë të madhe të sëmundjeve që vijnë nga ndotja e ajrit. Ata janë tre grupe kryesore të sëmundjeve, edhe atë sëmundja ishemike e zemrës, sulmi në tru dhe kanceri i mushkërive të bardha”, deklaroi Gjorgjev.
Në këtë punëtori mysafirë ishin anëtarë të Institutit për Shëndet dhe Mirëqenie Sociale të Finlandës të cilët janë edhe koordinatorë të Twinning projektit të BE-së në Maqedoni. Otto Hanninen nga Instituti i Finlandës tha se një ndër opsionet kryesore për reduktimin e grimcave PM 2.5, e cila në Finlandë ishte e suksesshme, është promovimi i ngrohjes qendrore, pastaj pluhuri i rrugës dhe sektori i industrisë.
Sipas hulumtimit të kryer nga Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë, afër 35 përqind e vdekjeve në tërë territorin e vendit janë për shkak të sëmundjeve që paraqiten nga ndotja e ajrit. Nga ky institut thonë se në Maqedoni rreth 1.300 persona në vit humbin jetën për shkak të ndotjes së ajrit.