Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti njëherësh kandidat për një tjetër mandat në krye të komunës, shpjegoi sot mënyrën se si do të zgjidhet problemi i parkingjeve në kryeqytet brenda mandatit të ardhshëm.

Ai foli konkretisht për parkingun nëntokësor afër Fakultetit Filologjik, parkingjet e lagjeve dhe parkingjet në hapësira publike, të cilat do të kenë kapacitet për parkimin e mijëra veturave brenda qytetit.

Ai tha se sa i përket parkingjeve të lagjeve, çdo banor i lagjes do të ketë çmim simbolik për veturën e parë, ndërsa për veturën e dyte e tutje do të paguajë çmim më të lartë. Banorëve do t’iu mundësohet “vinjeta” mujore dhe vjetore, dhe kështu do të sigurohet që kufizimet që të mos aplikohen kufizimet në orare për banorë.

“ Këto parkingje do të jenë të hapura edhe për vizitorë, të cilët do të paguajnë çmim të caktuar për orë qëndrimi. Ky model do të fillojë të aplikohet në pjesën e parë të vitit 2018”, ka thënë Ahmeti.