Shpërthimet e forta në guroret në Labunishtë të Strugës, i shqetësuan përsëri banorët. Për shkak të forcës së shpërthimit, shumë shtëpi në afërsi të tyre janë plasaritur edhe më.Banorët kërkojnë që këto gurore të ndërpresin punën, në të kundërtën paralajmëruan bojkotimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në qoftë se kjo nuk zgjidhet në favor të banorëve të Labunishtit, mbetet mundësia e bojkotit të zgjedhjeve në vijim dhe mosbindje ndaj institucioneve. Prandaj apeloj, të merren masa, për mbylljen e këtyre guroreve, qoftë me dëmshpërblim ose me zhvendosje nga Labunishti – deklaroi Nedim Mehmedoski- Këshilli për Shpëtimin e Labunishtit.

I përdorim të gjitha kartat e mundshme për t’u zgjidhur në mënyrë paqësore, për të shkuar në mënyrë legale. Nëse nuk hasim në mirëkuptim te institucionet shtetërore, ato hapa nëse i ndërmarrim do të jenë më radikale. Bojkot i mësimit, bllokim i qytetit të Strugës dhe ndoshta mosbindje civile – tha Alim Saloski- Shoqata ekologjike -Natura Lab.

Në rajon rreth fshatit kishte nëntë gurore. Tetë prej tyre tani janë funksionale.

Ndoshta dikush do të ketë fitim, mbase ndonjë funksionar do të futë diçka në xhep, por nuk e keni idenë se sa shpenzime të kujdesit shëndetësor shkaktohen, në mjekimin e pasojave të këtyre sëmundjeve -tha Aladin Demishoski – mjek.

Përfaqësuesit e Labunishtit javën e kaluar u takuan me Kryeministrin Zaev dhe Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ata thonë se Kryeministri ka treguar interes për zgjidhjen e situatës aktuale, dhe si një nga mundësitë për të zgjidhur problemin është ofruar dislokimi i guroreve. Nëse nuk ka zgjidhje brenda dy javësh, banorët paralajmëruan aktivizimin e protestave. /Alsat M/