Mjaftoi një video montim të publikuar në rrjetin social FB te fan faqja e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, për të ngritur pluhur në skenën mediatike dhe në opinion.

Gjithçka filloi nga një video që “e publikoi Ali Ahmeti”, por ka dyshime nëse këtë vepër e ka bërë personalisht lideri i kësaj partie, pasi lideri që të gjithë e njohin nuk ka bërë më herët gjeste të tilla. Kjo video ishte si shkëndi për të shkaktuar përplasje mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, si dhe të Aleancës për Shqiptarët e cila nuk qëndroi e heshtur nga ajo video, edhe pse nuk ishte pjesë e saj, shkruan Zhurnal.

Në video kishte përmbledhje nga akuza të ndryshme nga LSDM dhe VMRO-DPMNE të cilat akuzonin për regjim të BDI-së, varësisht se kush në atë kohë ka qenë në pushtet. Nëse LSDM dhe BDI qeverisnin, do të dilte VMRO të thoshte regjimi LSDM-BDI, e nëse ka qeverisur VMRO, atëherë LSDM do të dilte të thoshte regjimi VMRO-BDI. Vazhdimisht në pushtet ka qenë dhe për krime të ndryshme akuzoheshte nga të dy partitë maqedonase, e të mos flasim nga partitë opozitare shqiptare, duke filluar nga PDSH e deri sot.

Mirëpo deri tani BDI-në dhe funksionarët e saj deri sot nuk i gjeti asgjë dhe vazhdimisht ka qëndruar konstante në funksionimin e saj.

VMRO-DPMNE hodhi akuza ndaj BDI-së si kundër reagim i video montimit. Ata thonë se pikërisht BDI-ja është arsyeja kryesore për mos suksesin e shtetit dhe së bashku me LSDM-në vazhdojnë ta plaçkitin shtetin.

BDI ndërkohë është mbështetur te shqiptarët. Ata thonë se VMRO-DPMNE po punon kundër shqiptarëve dhe u pengon avansimi i tyre në pozita kyçe të shtetit. Mirëpo me këtë nuk pajtohet VMRO duke replikuar se BDI të mos e monopolizojë rolin e saj te shqiptarët sepse po të ishte BDI meritore për shqiptarët, nuk do t’i vidhte ato përmes tenderëve. I gjithë bumi ndodhi kur Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij vizitoi Albin Kurtin në Kosovë e sipas BDI-së, kjo i pengoi tejmase VMRO-së.

Sipas VMRO-së, kur Ahmeti dëshiron t’u vardiset faktorit ndërkombëtar, heqë dorë nga Kosova e tani kur ka nevojë të vjedhë, flet me patriotizëm.

Sipas VMRO-së dhe një fotografie të publikuar, në zyrën e Ahmetit qëndron një aparat për numërimin e parave. VMRO thotë se kjo e dëshmon vjedhjen e popullit dhe tenderimin në katër sy.

Sipas VMRO-së, Agjenda e gjelbër e BDI-së përputhet vetëm me ngjyrën e gjelbër të parave e aspak me punën e tyre, shkruan Zhurnal.

Aleanca për Shqiptarët

Edhe Aleanca për Shqiptarët dje doli me një reagim kundër BDI-së. Ata thonë se vazhdimisht të dy partitë maqedonase kanë mbrojtur “arushat e bardha” të BDI-së. Qe 20 vjet menaxhim me shtetin, nga ASH akuzojnë se asnjë funksionar i BDI-së nuk u përndjek penalisht nga shteti. E kjo sipas ASH-së, është përshkak korrupsionit te të dyja partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM.

Nga Aleanca për Shqiptarët videon e komentojnë si tentativë për të shmangur vëmendjen e opinionit pas vdekjes së Rexhail Qerimit në burg, e i cili priste drejtësinë për 13 vite me radhë. Në opinion thuheshte se drejtësia vdiq së bashku me Rexhailin, e sipas ASH-së kjo ishte edhe arsyeja pse BDI shpiku videon në momente kur nuk kishte nevojë.

BDI nuk rri duarkryq ndaj akuzave

BDI përsëri mbështetet te shqiptarët dhe sot përmes një kumtese për media, kanë potencuar se VMRO-DPMNE përmes lajmeve të rreme po tenton të rrënojë të arriturat e shqiptarëve.

Sa i përket rrymës që po vidhet në zyrat e BDI-së, nga BDI pohojnë se nga EVN është kryer inspektim më 27 shtator të vitit të kaluar dhe është konfirmuar se nuk ka një gjë të tillë, ndërsa sa i përket numratorit të parave, nga BDI njoftojnë se ajo fotografi është bërë në një zyre të një kompanie në Republikën e Kosovës.

Sipas BDI-së, akuzat e VMRO-së nuk janë asgjë tjetër përpos që tregojnë pamundësinë për të ndryshuar realitetin dhe hapërimin e vendit drejt BE-së.

LSDM

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë për momentin nuk është përfshirë në gjithë këtë tollovi rreth asaj kush vjedhë më tepër dhe kush mbron interesat e shqiptarëve, dhe u deklaruan se marrdhëniet e tyre me BDI-në janë të shkëlqyeshme dhe si të tilla do të vazhdojnë.//Zhurnal.mk