Përderisa po shënohet Dita e Kongresit të Alfabetit Shqip, objekti ku para 109 viteve u mblodhën figurat më të markante të popullit shqiptar, është në gjendje të palakmueshme. Zëvendës/drejtori i Arkivit të Maqedonisë, Muzafer Bislimi thotë se për shtëpinë-muze nuk duhet të përkujdeset vetëm Ministria e Kulturës së Maqedonisë, por për të duhet të shprehin interes edhe dy shtetet shqiptare që përdorin alfabetin e themeluar në këtë objekt.

“Deri tash përkujdesja për muzeun e Manastirit ka qenë vetëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës dhe mendoj se kjo përkujdesje duhet të vazhdojë edhe më tej dhe shpresojë se këtë javë do të bëhet rekonstruimi i plotë i Muzeut të Manastirit, por vëmendjen kah Muzeu i Manastirit duhet të kenë edhe Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë sepse Manastiri është qendër për gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh se ku jetojnë”, tha Muzafer Bislimi, zv/drejtor i arkivit të Maqedonisë.

Me rastin 109 vjetorit të themelimit të alfabetit, në një konferencë akademike u fol për vlerat e punës së Familjes Qiriazi dhe ndikimin e motrave Qiriazi në fillimet e hapjes së shkollës së parë shqipe dhe shkollës së parë të vashave. Deputetja Gjylymsere Kasapi tha se puna e kësaj familje ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e arsimit të femrës shqiptare.

“Duke themeluar shkollën e vashave dhe duke bërë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimimin e gjithë popullit shqiptar e në veçanti të vajzave, edhe nëpërmjet shkollës së vajzave në Korçë, kanë ndikuar që të edukohen dhe shkollohen shumë femra të tjera të cilat kanë lënë gjurmë dhe kanë ndriçuar kohën e atëhershme”, u shpreh Gjylymsere Kasapi, deputete.

E organizatorja e konferencës akademike, Sibella Alimovska nga Shoqata 22 nëntori thotë se si qeveria e Shqipërisë ashtu edhe ajo e Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë konferencë akademike. Ajo thotë se komuniteti shqiptar në Manastir është plotësisht i harruar dhe i lënë pas dore, ndërsa për ta mbrojtur këtë komunitet, kërkon që të hapet një konsullatë në Manastir.

“Po kërkoj nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës që ta kthejnë kokën pak në Manastir dhe ta hapin së paku një konsullatë që ne të mund të identifikohemi si shqiptarë këtu, sepse kemi ngelur një pakicë që nuk mundemi ta ngremë zërin shumë lartë”, tha Sibella Alimovska, kryetare e Shoqatës 22 Nëntori Manastir.

Mbi 100 pjesëmarrësit e konferencës së sotme akademike dolën me një porosi të përbashkët drejtuar qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Kongresi i Manastirit, është një ndër ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar ku intelektualë nga të gjitha trojet nga data 14 deri më 22 nëntor të viti 1908, u mbodhën për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe.