Shkruan Latif Arifi

Më në fund, pas shumë kalkulimesh dhe pazaresh  politike, Kuvendi i Maqedonisë, falë  edhe konsensusit të arritur  ndërmjet subjekteve politike,  ia doli të miratojë  ndryshimet  kushtetuese, që do t’i japin jetë Marrëveshjes së Prespës dhe njëherit Maqedonisë do ti  hapin rrugën, drejt  integrimit në NATO dhe Bashkimin  Europjan.

Vërtet ky ishte një vendim shumë i vështirë, por  tejet i rëndësishëm historik, jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.  Gjithësesi në këtë proces të rendësishëm kontribut  të çmuar përveç  Kryeministrit Zaev dhanë edhe partitë politike shqiptare, sidomos ato në opozitë, të cilat  u treguan mjaft konstruktive në raport me temat ndjeshme maqedonase, kurse jo edhe partitë shqiptare të pushtetit, të cilët në pjesën më të madhe të kohës ishin vetëm spektator, apo ndoshta edhe pengueses kundrejt atyre temave  që i tangojnë shqiptarët.

Shqiptarët edhe kësaj rradhe dëshmuan pjekuri të lartë politike dhe përgjegjësi shtetërore, bile edhe më të lartë se vetë maqedonasit me përcaktimin e tyre properendimorë dhe me të drejtë dolën të ishin shtylla kryesore mbi të cilën u vendos ardhmëria europjane e Maqedonisë, duke e larguar përfundimisht nga ndikimi rus.

Me gjithë këtë pjekuri politike dhe  zemërgjërësi të treguar të shqiptarëve, ndaj maqedonasve, pala maqedonase ishte shumë e zbehtë në argumentime kur mbronte tezën se kërkesat shqiptare godasin drejtpërdrejtë identitetin nacional të maqedonasve që ishte arritur me shumë mund në bisedimet me palën greke.

Megjithëse në pamje të parë duket sikur me ndryshimet kushtetuese , u mbyll një plagë e kahmotshme, e jashtme me fqinjin jugor, por prapëseprapë, Maqedonia  do të vazhdojë të jetë e plagosur nga brenda me plagën që ua ka lënë të hapur shqiptarëve.

 
Nëse dikush mendon që shqiptarët në Maqedoni janë  naiv në qëndrimet e tyre, kundrejt dilemave e paqartësive që kanë të bëjnë statusin e tyre shtetformues, gabojnë rrëndë. Edhe pse kësaj rradhe  shqiptarët, me lojalitetin e tyre dhe symbylljen përshkak të përcaktimit  gjeostrategjik perendimor, heshtën kërkesat e tyre për të mos u dukur  si ”dorë e zgjatur”,që mund të rrezikonte proceset euro-integruese, ata në të ardhmen nuk do të heshtin dhe beteja e tyre do të vazhdojë deri sa shqiptarët të jenë të barabartë, me gjithë të tjerët në këtë shtet.

 Me këto ndryshime kushtetuese, që u miratuan në Kuvendin e  Maqedonisë, u lëshua një mundësi e artë, që të sigurohet një ardhmëri edhe për shqiptarët, që krahas ndryshimeve që kishin të bëjnë me marrëveshjen e Prespës, që njëherë e përgjithmonë të rregulloheshin edhe ca të drejta të munguara të shqiptarëve.

Fatkeqsisht edhe me këto ndryshime, shqiptarët mbeten sërish kategori e qytetarëve që nuk mund ta përdorin gjuhën e tyre, që  edhe pas ndryshimeve kushtetuese,  vazhdon të thirret si gjuhë të cilën e flasin 20% e popullatës e që është e ndryshme nga maqedonishtja.

Për hirë të së vërtetës me gjithë vullnetin dhe dëshirën e dy partive opozitare shqiptare ASH, dhe LB, duke njohur edhe ”takatin”politik që këto dy parti kanë mbi supe, sadopak ndikuan dhe zhvilluan betejën politike duke dhenë maksimumin e mundshëm  në përmirësim të statusit të shqiptarëve në preambullën e Kushtetutës. Si rezultat i kësaj beteje, dukshëm është  përmirësuar statusi shtetformues i shqiptarëve. U arrit të largohet termi fyes ku shqiptarët paraqiteshin si  të përkohëshëm  në këtë shtet. Poashtu edhe në nenin që ka të bëjë me mbrojtejen dhe përkujdesin e shtetit ndaj diasporës, falë këmbëngulësisë së deputetëve të opozitës shqiptare , u arrit që përkujdesi i shtetit  të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë që jetojnë jashtë shtetit.

Një ndryshim tjetër po aq i rëndësishëm është edhe futja e njohjes së kufirit të Republikës së Kosovës  në Kushtetutë.

 Por ajo që është edhe më e rëndësishmja, është fakti se janë këto dy partitë opozitare  shqiptare, përkundër BDI-së që me kërkesat  e tyre nuk lejuan që të shuhet ” drejta e shqiptarëve” për ta vazhduar edhe më tej betejën për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni.

Fatkeqësisht, tani  e tutje, shqiptarët do duhet të presin dekada të tëra, për të ndryshuar këtë kushetutë antishqiptare, pasi ky ishte rasti ideal për ta ndryshuar atë, por  kur liderët politik, (jo të gjithë), e kanë bishtine shkelur , na ndodh kjo.

Andaj, pët të mos u përsëritur kurrë kjo kohë, ju mbetet qytetarëve të punojnë  natë e ditë që ky poshtërim i kësaj  klase politike, që ka qeverisur  për shumë vjet dhe ka  mbajtur shqiptarët si kategori inferiore brenda shtetit, ti tregohet  se shqiptarët nuk meritojnë të udhëhiqen nga  njerëz të paditur, të korruptuar,  e kriminel  të papërgjegjshëm.