Sipas një sondazhi të fundit, 85 për qind e të rinjve nuk kanë marrë kurrë pjesë në konsultime të organizuara nga shteti dhe 6 nga 10 të rinjtë besojnë se nuk mund të ndikojnë në punën e institucioneve.

Të rinjtë në përgjithësi thonë se kur u jepet një shans dhe besim, dhe kur pajisen me aftësitë e nevojshme për të qenë udhëheqës në komunitetet e tyre, ata kanë potencial të jashtëzakonshëm për kreativitet, inovacion dhe ndryshim. Por një nga hulumtimet më të fundit të UNICEF -it tregon se të rinjtë në Maqedoni të Veriut ndihen të përjashtuar dhe kanë mundësi të kufizuara për të udhëhequr ndryshimin ose një sistem reformues për një të ardhme më të mirë për veten dhe brezat e ardhshëm t. Vetëm një e treta e të rinjve janë optimistë se vendi po ecën në drejtimin e duhur.

“Ky realitet, së bashku me varfërinë, mungesën e arsimit cilësor, mundësitë e kufizuara të punës, shqetësimet për shëndetin mendor dhe mjedisin, pasqyron perspektivën e të rinjve”, thonë mes tjerash nga UNICEF. Pas këtij hulumtimi, Presidenti i vendit Stevo Pendarovski dhe organizata për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve UNICEF filluan nismën “Rimendoni të ardhmen” për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve hapësirë ​​për t’u angazhuar në përcaktimin e vizionit për të ardhmen që duan për veten dhe brezat e ardhshëm.

Në fazën e parë të këtij konsultimi për të rinjtë, ata të moshës 12 deri në 19 vjeç u ftuan të marrin pjesë në një sondazh onlajn për të njoftuar dhe ndarë pikëpamjet e tyre mbi ndryshimet që do të donin të shihnin, se çfarë i motivon dhe çfarë i shqetëson më shumë ata. Kjo analizë sipas UNICEF, tregon se sondazhi ishte një mundësi për të rinjtë që të dërgojnë një mesazh tek vendimmarrësit apo institucionet dhe të ndajnë vizionin e tyre për vendin për 10 vitet e ardhshme. Në këtë sondazh në total morën pjesë 527 të rinj nga i gjithë vendi.

Natyrisht pas gjithë këtyre rekomandimeve duhet të përmendim që prej arsyeve dhe shkaqeve më të shpeshta tek këta të rinj qëndron fakti i shkallës së lartë të papunësisë, e që sipas hulumtimeve në këtë drejtim, shpesh qëndrojnë në politikat e papërshtatshme të punësimit dhe ofertën e pakët të punës për të rinjtë, të cilat janë kryesisht të përkohshme dhe jo afatgjate dhe të sigurta .