Pas njoftimit se akcizat për lëndët djegëse do të rriten, u prononcuan nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Me këtë vendim, opozita konsideron se qytetarët janë mashtruar, sepse në kohën kur LSDM ishte në opozitë, ajo kërkonte nga qeveria e atëhershme ta përgjysmojë akcizën e derivateve të naftës. Një nga përgjegjësit për politikat ekonomike në parti, Hristian Dellev deklaroi se me këtë vendim, në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmtohen bujqit, e kjo nënkupton se edhe shumë prodhime bujqësore do të kenë çmim më të lartë.

“LSD i mashtroi qytetarët. Rritja e çmimit të derivateve të naftës paraqet vjedhje të qytetarëve të thjeshtë nga qeveria e Zaevit. Qytetarët do ta mbajnë mbi vete barrën e sundimit të papërgjegjshëm. LSD është vetëm 6 muaj në pushtet, ndërsa deri tani nuk ka realizuar asnjë projekt për të mirën e përgjithshme. E vetmja gjë që e bënë është rritja e shpenzimeve të jetesës”, tha Hristijan Dellev, VMRO-DPMNE.

Edhe ministri i financave Dragan Tevdovski pranoi se qeveria planifikon ta rrisë akcizën e naftës dhe të derivateve të naftës. Ai në debatin e parë publik me rastin e prezantimit të propozim-buxhetit për vitin e ardhshëm, deklaroi se plani për shtrenjtimin e dizelit, ka për qëllim pakësimin e vozitjes nga qytetarët dhe me këtë edhe uljen e ndotjes së ajrit.

“Propozojmë të kemi rritje të akcizave në pajtim me kërkesat e rregullativës së Bashkimit Evropian. Me këtë rast, absolutisht nuk mendojmë se kjo do të shkaktonte lëvizje serioze inflatore”, tha Tevdovski.

Sipas guvernatorit Dimitar Bogov, një rritje e këtillë e akcizës së naftës nuk do të ketë ndikim të ndjeshëm në inflacion, që sipas Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë do të jetë 2%.

“Bëmë një vlerësim të shpejtë dhe konsiderojmë se efekti i drejtpërdrejtë nuk është shumë i madh. Efektin indirekt, në këtë moment nuk ta vlerësojmë sepse dizeli si input, shfrytëzohet në një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë”, u shpreh Bogov.

Sipas përllogaritjeve, me rritjen e akcizave, çmimi i dizelit do të jetë më i lartë për rreth 4 denarë për litër. Transportuesit, taksistët, bujqit dhe pjesa më e madhe e industrisë përpunuese, sidomos prodhuesit e bukës po bëjnë llogari për atë se sa do të rriten shpenzimet e tyre dhe a do të ketë hapësirë që edhe ata t’i korrigjojnë çmimet për shërbimet e tyre.