Mbrëmë në TV21 u mbajt debati i parë mes dy kandidatëve shqiptarë për President, Arben Taravari dhe Bujar Osmani.
Në përgjithësi mund të thuhet se debati ishte i kulturuar dhe në nivel, por në substancë atë padyshim e fitoi Arben Taravari.
Duke marrë parasysh se roli i Presidentit më tepër lidhet me politikën e jashtme dhe sigurinë, pritej që përparësi të ketë Bujar Osmani i cili këtë e ka patur edhe punë viteve të fundit. Por në realitet paraqitja e tij ishte e zbehtë, me floskula që i përsërit pandërprerë vite me rradhë BDI, pa ofruar diçka të re apo profesionale.
Arben Taravari ndërkaq, edhepse vjen nga pozita e një kryetari partie dhe kryetari komune ishte në nivel dhe pati disa ide të reja që BDI nuk i di apo nuk ka guxim të thotë.
Në shumë pika që ngriti Taravari Osmani refuzoi të përgjigjet, ndërkohë që Taravari adresoi secilën kritikë që ja dha kundërshtari.
Si dhe pse e fitoi pra Taravari debatin e mbrëmshëm. Të shkojmë pikë pas pike të debatit.
Prezantimi i programit:
Të dy kandidatët, ashtu siç i kanë programet, por edhe si mendon çdo shqiptar, fokusin e patën te rradhitja properëndimore e Maqedonisë dhe integrimi në BE.
Por edhe këtu Taravari bëri disa dallime nga Osmani.
Ai potencoi atë që shpesh harrohet dhe sjell pasiguri te qytetarët, se si anëtar i NATOs vendi nuk ka kërcënim nga ndonjë sulm i jashtëm.
Aty ku kandidatët si duket patën pikëpamje të kundërta, Taravari premtoi se menjëherë do të inicojë largimin nga Ballkani i Hapur, si proces tepër i dëmshëm për vendin.
Poashtu përmendi krimin dhe korupcionin si probleme serioze që na bën të çalojmë drejt BE-së.
Osmani ndërkaq ripërsëriti premtimin e njohur për anëtarësim në BE deri në 2030 dhe në fund të prezantimit përmendi inicimin e vetingut. Me këtë u kalua te pjesa e replikave.
Taravari pyeti pse BDI ka në listat e veta njerëz të listës së zezë amerikane dhe pse nuk është bërë vetingu deri tash.
Osmani eskivoi duke thënë se ka propozuar ligj për restrikcion të bartësve të funksioneve publike, por nuk u përgjigj pse kjo nuk është bërë deri tash. Ceku se ka certifikat sigurie nga NATO, por nuk përmendi se ky certifikat vjen ex-officio.
Më tepër u duk si vetëlavdërim dhe narcisizëm, plagë që e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.
Në këtë pikë padyshim fitues ishte Taravari.
Përparësia juaj në krahasim me kundërkandidatin:
Osmani ceku përvojnë e tij në poste shtetërore dhe diplomaci, ndërsa Taravari të arriturat e veta dhe faktin që ka fituar çdo zgjedhje.
Në përgjithësi pikë e mërzitshme, nuk kuptohet pse TV21 e bëri pjesë të debatit.
Motivet personale për këtë kandidaturë:
Taravari ceku misionin për të sjellë ndryshmin te shqiptarët dhe për t’iu dhënë një gjenerate të re politikanësh ato mundësi që vite me rradhë i janë dhënë Osmanit.
Osmani ndërkaq ceku dëshirën për t’i shërbyer publikut. Por këtu ai përsëri kaloi në vetëlavdërim duke cekur se njeh njerëz me ndikim dhe ka numra të telefonit të njerëzvë që marrin vendime nëpër botë. Por këto kontakte vijnë ex-officio, pra pasi ai është Ministër i Punëve të Jashtme, dhe nuk i ka si Bujar Osmani. Kjo me siguri ishte pika më e ulët e paraqitjes së Osmanit gjatë gjithë debatit.
Më tej u kalua te pjesa e replikave, ku Osmani tha se opozitë nuk mund të jenë njerëz që kanë qenë në pushtet (duke aluduar te Izet Mexhiti) dhe se Aleanca ka qenë në pushtet deri para dy muajsh. Taravari u kundërpërgjigj se nuk mund të bëhen kështu relativizime: ka dallim nëse ke qenë në pushtet 23 vite si BDI dhe 1 vit si Aleanca.
Poashtu tha se i mirëpret ata njerëz të BDI që kanë kuptuar se BDI ka devijuar dhe se Osmani nuk e njeh gjendjen pasi ka qenë i zënë me udhëtime zyrtare.
Në fund të pikës Osmani përsëri kaloi në vetëlëvdatë duke thënë se ka sjellur Blinkenin në Shkup, por Taravari i tha se ka sjellë edhe Lavrovin, i cili për herë të parë pas luftës në Ukrainë vizitoi një shtet të NATO.
Edhe në këtë pikë fitues ishte Taravari.
A e keni synim vetëm votën shqiptare apo edhe të etnive tjera
Të dy kandidatët thanë se dëshirojnë votat e të gjithë etnive. Osmani tha se ka koalicion edhe me parti rome, turke e boshnjake, ndërsa Taravari tha se vazhdimisht merr votat e etnive tjera në Gostivar, edhe kur partitë e tyre kanë koalicion me BDI.
Kjo pikë u bë më interesante kur Taravari tha se është kandidat i vetëm shqiptar. Osmani u ndje i ofenduar duke thënë se është shqiptar, por Taravari theksoi se e pati fjalën te kandidatura.
Taravari është kandidat i katër partive shqiptare, ndërsa Osmani kandidohet nga një koalicion laraman ku ka edhe parti të etnive tjera.
Zgjedhja e presidentit në kuvend
Të dy kandidatët kanë propozim që Presidenti të zgjidhet në kuvend me 2/3 dhe me shumicë të dyfishtë. E veçanta e propozimit të Taravarit është se propozon që nëse Presidenti nuk kalon në dy raundet e para, votimi i tretë të bëhet me shumicë të thjeshtë.
Osmani akuzoi se Taravari fillimisht nuk e ka patur propozimin që zgjedhja të jetë me Badinter, por se e ka futur më vonë.
Taravari u kundërpërgjigj duke thënë se BDI-së tash ju ka tekur që Presidenti të zgjidhet në kuvend, kur më herët kanë thënë se duhet të jetë president konsensual, pastaj kanë bojkotuar, pastaj prapë janë kthyer te presidenti konsensual dhe ja tash thonë që të zgjidhet në Kuvend. Qasje që është jokonsistente.
Osmani eskivoi akuzën për jokonsistencë, duke akuzuar se Taravari propozon kushtetutë qytetare, që sipas tij është abrogim i Marrëveshjes së Ohrit. Taravari përkujtoi se propozimi i parë i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë për kushteturë qytetare, edhe atë ka qenë kërkesë shqiptare që e kanë refuzuar maqedonasit.
Osmani më pas ra në kontradiktë duke thënë se edhe kushtetuta e tanishme është qytetare, pastaj kaloi te të arriturat e BDI si kryeministri i parë shqiptar, gjuha shqipe etj.
Taravari u kundërpërgjigj se gjuha shqipe akoma nuk është zyrtare dhe se kryeministri është vetëm teknik, ndërkohë që BDI premtoi se do të ketë kryeministër me mandat të plotë.
Ai insistoi që 20% të hiqet nga kushtetura dhe përmendi se për këtë nuk kanë asgjë kundër as Zaevi, Mickovski e politikanë tjerë maqedonas, ndërkohë që vetë Osmani kërkesën e tillë njëkohë e quante si tentim për destabilizim të vendit.
Në këtë pikë Taravari arriti të demaskojë jokonsistencën e BDI dhe Osmanit dhe ishte padyshim fitues i kësaj pike.
Integrimi ne BE/ndryshimet kushtetuese
Taravari filloi duke thënë se si President do të insistojë të ketë ndryshime kushtetuese, por edhe se do të kërkojë garanca nga Brukseli se nuk do të ketë më kërkesa të reja.
Osmani u kundërpërgjigj se korniza e bisedimeve nuk mund të ndryshohet dhe se ideja e tillë është e njëjtë si e VMRO.
Këtu Taravari pyeti nëse BDI ndonjëherë ka kushtëzuar Gruevskin për qeveri me procesin e integrimeve dhe ceku se BDI ka patur tre ministra për eurointegrime dhe nuk ka bërë gjë në këtë drejtim.
Risia ishte zbulimi se VLEN dhe BDI paskan marrëveshje xhentellmenësh që mos hyjnë në qeveri pa ndryshimet kushtetuese.
Të dy debatuesit këtu patën poentime të mira dhe në këtë pikë mund të thuhet se mbetën baraz.
A është Rusia kërcënim serioz
Në këtë pikë Osmani hyri në ujëra të çuditshme duke e paraqitur Rusinë si kërcënim direkt ushtarak për Maqedoninë. Ai tha se pas Ukrainës Rusia mund të depërtojë në Moldavi, Rumani, për të arritur në Ballkan. Kjo tezë është e paqëndrueshme duke ditur se Rumania është shtet i madh anëtar i NATO-s dhe më parë mund të plasë lufta e tretë botërore se sa Rusia të hyjë ushtarakisht në Ballkan.
Taravari përkundrazi ceku se kërcënimi rus për Ballkanin vjen nëpërmjet Serbisë dhe Vuçiqit, që është kërcënim shumë më real.
Madje edhe ndikimi rus në Maqedoni sipas tij bëhet nëpërmjet Serbisë. Pikërisht për këtë do të kërkojë largimin nga Open Balkan, që është vegël serbe në duart e Rusisë.
Osmani përsëri eskivoi Serbinë dhe u kthye te instalimet kinse ruse në Maqedoni. Në pyetjen pse qeveria ka lejuar instalime të tilla në Maqedoni, ai u përgjigj se ka dëbuar 17 diplomatë rus nga vendi, pa adresuar lejimin e instalimeve tjera ruse.
Për fund Taravari pyeti nëse Ahmeti është takuar me ambasadorin rus në vend, siç ka thënë vetë.
Duke parë hezitimin e Osmanit për të folur për kërcënimin serb dhe lejimin e instalacioneve ruse në Maqedoni, edhe në këtë pikë fitues ishte Taravari.
Pyetjet e fundit kishin të bëjnë me çështje ekonomike dhe personale, që nuk kanë të bëjnë shumë me rolin e Presidentit dhe nuk patën ndonjë rol në debat.