Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski sot ka njoftuar se 752 prej 958 administratorët e përfshirë në fazën e parë të sistematizimit kanë nënshkruar kontratat dhe kanë nisur me punë, njofton Portalb.mk. 206 administratorë do të kalojnë në listën tranfer.

“752 nga 958 administratorë kanë nënshkruar marrëveshjen për sistematizim dhe janë shpërndarë në institucionet e caktuara. Procedurat vijojnë. E rëndësishme se 752 administratorë e kanë pranuar ofertën dhe e kanë nisur me punë. të tjetër shkojnë në listën transfer”, tha Mançevski.

Duke folur më tej për procesin e sistematizimit, Mançevski tha se nënshkrimi i kontratave për nisjen me punë: “Ka afate kohore, ka kufizime”, varësisht prej institucioneve me të cilat nënshkruhen ato kontrata.

Vazhdon avazi: të rrish në shtëpi – të marrësh rrogë
Ashtu siç u shkrua në media, të dy grupet e administratorëve gjegjësisht 1.688, kanë qenë në cak të kritikave për shkak se ata u kanë kushtuar shtrenjtë xhepin të qytetarëve dhe nga ana tjetër nuk kanë shërbyer asgjë.

Në mungesë të numrave zyrtare, sipas një matematike të thjeshtë, nëse çdo administrator ka marrë pagë mujore prej 250 eurove, kjo nënkupton që 1.688 administratorët e MO-së qytetarëve të Maqedonisë u kanë kushtuar 422.000 euro në muaj, ose mbi 5 milionë euro në vjet. Punësimi i këtyre administratorëve ka filluar që nga viti 2008-të, ndërkaq ndër vite ka pasur konkurse.

Hazbi Lika i padukshëm në opinion
“Çfarë lartësie të rrogës kanë marrë administratorët derisa kanë ndenjur në shtëpi? Për sa kohë kanë marrë rrogë?”, janë pyetjet që redakasia e Portalb.mk ende nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Sekretariati për Zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në krye të së cilit është Hazbi Lika, i cili ka 5 muaj që nuk është parë në asnjë konferencë për media të Qeverisë së Maqedonisë.

Rëndësia e prononcimit të zëvendëskryeministrit Lika për këtë çështje lidhet me atë, se sekretariati i udhëhequr nga ai, është realizues i punësimeve me Marrëveshjen e Ohrit dhe e realizimit të procesit të sistematizimit të administratorëve

Hazbi Lika nuk është parë as gjatë manifestimit të sotëm të nisjes së fushatës për referendumin e 30 shtatorit, gjatë shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, gjatë 1 vjetorit të Qeverisë së Maqedonisë, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë dhe as në konferencën Rose Roth edhe pse u paralajmërua prania.