Nga sot nuk është më në fuqi vendimi i Qeverisë për kufizimin e marzhës tregtare, që përfshinte bukën e bardhë, sheqerin, vajin e lulediellit, miellin e grurit të llojit 400 dhe 500, brumërat, orizin, qumështin, vezët, gjizën, djathin dhe kosin. Qytetarët thonë se sot nuk kanë vërejtur ndonjë dallim në çmimet e këtyre produkteve, duke shpresuar se shitësit nuk do të rrisin çmimet gjatë ditëve në vazhdim. Tani mbetet që çmimet e këtyre produkteve bazë të përcaktohen sipas kushteve të tregut.

“Jo, sot nuk pash ndonjë ndryshim tek çmimet”, tha një qytetare.

“Buka është njësoj. Trangujt janë njësoj. Këto janë gjërat që blej. Mollët, epo mollët janë rritur për 6 denarë”- qytetar.

“Të ju them të drejtën këtu… nuk i shikova çmimet. 01:32 Mora vaj, por çmimi ishte i njëjtë.” – qytetar.

“Sot nuk ka ndonjë dallim në çmim. Pothuajse janë krejt njëjtë. Buka, patatet janë njësoj.” – qytetar.

Në fund të muajit prill, Qeveria vendosi të zgjasë kufizimin e marzhës tregtare për produktet ushqimore bazë deri më 30 qershor. Me këtë vendim marzha më e lartë tregtare për bukën e bardhë, sheqerin dhe vajin e lulediellit u caktua deri në 5 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Marzha më e lartë tregtare, nga ana tjetër, për miellin e grurit – tip 400 dhe 500, brumërat, orizin e bardhë, qumështin me përmbajtje yndyre 2,8, 3,2 dhe 3,5 për qind, vezët, djathin, djathin e bardhë të lopës dhe djathin e bardhë të përzier, dhe kosin, u përcaktua deri në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. /Alsat.mk