Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski nuk beson se ka keqpërdorim të fondeve për projektet e ndara nga dikasteri me të cilin udhëheq ai. Megjithatë, Allagjozovski thekson se fjalën e fundit duhet ta thonë organet hetuese. Sipas tij, pjesëmarrësit vetë kanë filluar të tërhiqen nga projektet.

Nëse konstatohet përgjegjësi penale, këtë duhet ta thotë Prokuroria Publike. Ne si ministri e Kulturës nuk jemi as Prokurori dhe as gjykatë që të mund të bëjmë thirrje për përgjegjësi penale. Sipas njohurive tona, diçka e tillë nuk ekziston. Vetë pjesëmarrësit janë duke u tërhequr nga projektet para se gjithash për shkak të kritikave të shumta nga opinioni – deklaroi Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.

Allagjozovski madje shton se gabimet janë aq të vogla sa nuk përbëjnë bazë për të tërhequr programin e ministrisë.

Projektet e dyshimta nuk kalojnë as 1% në aspektin e mjeteve financiare, që në numër i bie rreth 20 projekte. Ky është një rezultat i mirë dhe margjinë e vogël e gabimeve kundrejt një projekti kaq të madh dhe të ndërlikuar. Në përgjithësi vlerësojmë se programi është i mirë dhe se të gjitha gabimet do t’i zgjidhim deri në fund – tha Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.

Tani do vijojë procedura e ankesave ku edhe do të adresohen pakënaqësitë e pjesëmarrësve. Ndërkohë as Prokuroria Publike dhe as Komisioni anti-korrupsion nuk japin detaje rreth fillimit të hetimeve të mundshme. Ditë më parë Komisioni Shtetëror i shkallës së dytë përgënjeshtroi Sekretarin Shtetëror të ministrisë së Kulturës, Valmir Azirin i cili paraprakisht theksoi se projektet e për të cilat ka dyshime të bazuara për nepotizëm, po shqyrtohen nga Komisioni qeveritar. Dyshimet u ngritën pas akuzave në opinion për ndarje të projekteve mbi baza të nepotizmit, parregullsive dhe konflikteve të interesit./Alsat-M/