Seanca e sotme për rastin “Sopoti” u zhvillua pas dyerve të mbyllura. Kjo pasi sot në Gjykatën Themelore Shkupi 1 dëshmuan gjashtë zyrtarë të Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim. 

Avokatët mbrojtës duke mos pasur mundësi që të japin detaje rreth deklaratave të dëshmitarëve, vetëm pohuan se dëshmitë e tyre vërtetojnë se rasti i Sopotit ka qenë i montuar dhe se deklarata e dëshmitarit kurcial ka qenë e marrë me dhunë.

 VULLNET PAÇUKU, AVOKAT

“Dëhmitarët të cilët sot i dëgjuam ishin punonjës të Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, të cilët kanë marrë veprime zyrtare në kohën kur kanë punuar për ‘Sopotin’. Këta dëshmitarë edhe njëherë kanë vërtetuar se këta të akuzuar absolutisht nuk kanë asnjë lidhje dhe fajësi me këtë rast. Megjithatë, të gjitha bastisjet që janë bërë, veprimet që janë ndërmarrë në atë kohë nga personat zyrtatë, nuk vërtetojnë fajësinë e këtyre të akuzuarëve”.

 NASER RAUFI, AVOKAT

“Deklarata e Bajramit, që ishte si dëshmitar kurcial për këtë rast, plotësisht korrespodon me deklaratat që i dhanë këta dëshmitarë që kanë qenë të punësuar në shërbimin sekret. U konstatua që ky dëshmitarë, që është i rëndësishëm dhe kurcial për këtë lëndë, praktikisht nga 23 deri 29 maj 2003 ka qenë i humbur. Nuk ka qenë në stacion policor, nuk ka qenë në gjykatë, por në vend që nuk duhet të jetë, në vend të pa identifikuar. Mendoj që u sqarua se ky rast ka qenë i montuar dhe me dhunë ka qenë e marrë deklarata e Ramadan Bajramit”.

Avokatët më tej njoftuan se tani presin që si palë mbrojtëse t’i shqiptojnë edhe fjalët përfundimtare. Rasti i Sopotit seancën e kaluar është kthyer nga fillimi, për shkak të ndryshimit të Këshillit Penal i cili ndodhi si rezultat i sistemimit të fundit në Gjykatë. Ky rasti daton nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi  një automjet i NATO-s shkeli në minë në rrugën rajonale Sushevë – Sopot.  Në këtë rast dhjetë persona janë dënuar për terrorizëm, njëri prej të cilëve ndërroi jetë duke pritur verdiktin gjyqësor.

Njëra nga ‘bombat’ e publikuara nga LSDM iu kushtua rastit “Sopot”, ku dëgjoheshin Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov të cilët komentonin tërë procesin, duke pohuar se deklaratat e dëshmitarëve janë marrë me ushtrim të dhunës.