7 Marsi apo e njohur ndryshe si Dita e Mësuesit festohet çdo vit në Shqipëri. Festimi i kësaj dite bëhet për të mbështetur dhe inkurajuar mësuesit, për përçimin e dijes çdo ditë te nxënësit, sot dhe në vazhdim te brezat e ardhshëm. Përvjetori i Mësonjëtores dhe Dita e Mësuesit shënojnë elementët kryesorë Rilindjes, kur përpjekjet e atdhetarëve nën drejtimin e Komitetit Kombëtar sollën çeljen e shkollës së parë të mirëfilltë kombëtare shqipe, të caktuar në qytetin e Korçës më 7 mars 1887.

Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa me rreth 35 nxënës, numri i të cilëve pas tre muajsh do të shkonte në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300.

Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.

Kjo ditë festohet edhe për kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në arsim mësuesit e asaj kohe. Dritare.net uron të gjithë mësuesit gëzuar festën!/