Sot pasdite, Gjykata e Selanikut do të marrë vendimin përfundimtar nëse të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski do të ekstradohen në Maqedoni. Seanca e sotme zgjati gati pesë orë dhe u ndërpre disa herë me kërkesë të Këshillit të gjyqtarëve. Ndërkohë me kërkesë të avokatëve nga Greqia që i përfaqësojnë ish-agjentët sekret, në gjykatën e Selanikut dëshmoi Profesor Aleksandar Dashtevski. Prapa dyerve të mbyllura, ai ka shpjeguar rolin e Speciales, cilat janë kompetencat e saj dhe çfarë lënde përfaqësojnë. Dashtevski është konsultuar edhe si ekspert i të drejtave të njeriut. Ai nuk e ka ditur se do të ftohet, ndërsa ideja që ai ta mbështesë mbrojtjen e Grujevskit dhe Boshkovskit ka ardhur, pasi avokatët i kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje, ndërsa gjykata e ka pranuar si dëshmitar.

Avokatët para dy ditëve refuzuan të komentojnë mbi atë se çfarë vendimi pritet sot dhe nëse gjykata në Selanik do t’i ekstradojë Goran Grujevskin dhe Nikolla Boshkovskin në Maqedoni, që të gjykohen për përgjimet ilegale. Mbrojtja në gjykatë argumentoi se ata nuk guxojnë të përfundojnë së bashku në burg me të dënuarit e “Lagjes së Trimave.

Kjo është hera e dytë që Grujevski dhe Boshkovski para gjykatësve në Selanik shpjegojnë pse ata nuk duhet të ekstradohen në Maqedoni, sepse kanë frikë se nuk do të ketë gjykim të drejtë. Përveç për ekstradimin, ata i pret edhe proces gjyqësor për pasaporta false bullgare, me të cilët dëshironin të arrijnë nga Selaniku në Budapest. Ndërkohë ata kërkuan azil politik në Greqi. Megjithatë, sipas ligjit grek, në qoftë se gjykata në Selanik vendos që ata të dorëzohen në Maqedoni, mbrojtja ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën supreme në Athinë – një procedurë që mund të zgjatë disa muaj. Por, ka edhe një tjetër mundësi, që në vendimin e gjykatës të ndërhyjë Ministria greke e Drejtësisë, e cila sipas legjislacionit grek ka të drejtë ta ndryshojë vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse është pozitive apo negative për Grujevskin ose Boshkovskin dhe Ministri i drejtësisë e ka fjalën e fundit. Dyshja e pandashme është në arrati që nga korriku. Ata u arratisën pasi Gjykata Supreme e konfirmoi paraburgimin e tyre. Janë të akuzuar në rastin “Fortesa” dhe “Target” të Speciales. Ato janë çelësi përmes të cilëve duhet të merret vesh kush dhe si ka përgjuar ilegalisht në Maqedoni. /Fol/