Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjykimi ndodhet në fazën e dëshmive dhe sot duhet të vazhdojë me shikimin e video-inçizimeve nga kamerat e sigurisë në Kuvend. Kjo është seanca e dytë për këtë lëndë gjatë kësaj jave, ndërsa për çdo ditë janë caktuar seanca deri në fund të javës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën e djeshme u shikua vetëm një inçizim nga kamera numër 10 edhe atë deri në gjysmë, pasi seanca nuk vazhdoi pas pauzës për shkak se deputetët e akuzuar Sasho Vasilevski, Ljuben Arnaudov dhe Krsto Mukoski, ishin të detyruar të shkojnë në takim koordinues në Kuvend.

Për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar të akuzuar janë 33 persona, prej të cilëve 31 për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” dhe dy të tjerë për “nxitje”.