LSDM-ja sot i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që menjëherë ta jep mandatin për formim të qeverisë së re. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se mos dhënia e mandatit nga ana e Ivanovit paraqet shkelje direkte të Kushtetutës së Maqedonisë. Ata presin që Ivanov të mendohet dhe ta kthejë vendimin e tij.

 

“Kërkojmë që menjëherë, ashtu siç kërkuam që nga dita e parë kur e shkeli kushtetutën dhe ashtu siç do të kërkojmë çdo ditë, që presidenti të reflektojë dhe të kujtojë shtetin dhe qytetarët dhe të largohet nga ndikimet politike, që për momentin e ka në plan të parë me qëllim që të thellojë krizën dhe të imponojë frikë tek qytetarët”, deklaroi Spasovski.

Ai tha se ata si parti do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike që të realizojnë të drejtën kushtetuese dhe të formojnë qeverinë e re.