Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, në brifingun e sotëm në Qeveri ka folur për atë se është formuar Agjencia tekniko-operative e cila do të jetë ndërmjetësuese në procesin e përgjimit dhe se e njëjta do të funksionojë si Agjenci e posaçme jashtë DSK-së. Spasovki më tej konsideron se bombat nuk do të përsëriten, përcjell Medial.mk.

“Me përgjegjësi konsideroj se bombat nuk do të përsëriten, nuk ekziston mundësi teorike, as praktike për keqpërdorim të masave të posaçme hetimore”, deklaroi Spasovski.

Spasovski, gjithashtu ka thënë se tani për tani kryeson reforma e DSK-së, është formuar një grup ndër-dikasterial. Deri më 15 nëntor Qeverisë duhet t’i ofrohet një nga tre modelet për atë se si do të funksionojë kjo Drejtori.

“Kemi nevojë për model të mirë, i cili do të ofrojë sistem efikas për mbrojtje të sigurisë kombëtare, funksionimin e shërbimeve në përputhje me standardet dhe rregullat ndërkombëtare, për të vepruar i lirë nga ndikimet politike, të maksimizohet efikasiteti i tij me metoda të reja të punës të cilat do të fokusohen në parandalimin e formave të reja të kërcënimeve”, tha Spasovski.

Ministri kujtoi se është formuar qendra kombëtare koordinuese për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila është operative dhe tani po punohet në rritjen e resurseve njerëzore dhe teknike. Është duke u përgatitur edhe një zgjidhje softuerike për komunikim të sigurt dhe përcjellje e sigurt e të dhënave midis institucioneve me qëllim që kjo luftë të jetë e suksesshme.

Spasovski shtoi se po punohet edhe në përforcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pronës.

“Në Republikën e Maqedonisë, këtu nuk ka asnjë rezultat. Gjatë periudhës së kaluar vetëm në tre raste është konfiskuar pronë. Lufta kundër krimit mund të jetë efikase dhe ajo që është fituar me paratë kriminale duhet të merret nga shteti”, shtoi ai.

E paralajmëroi edhe procesin e vetingut, i cili së shpejti do të fillojë, ndërsa i cili ka për qëllim të kthejë reputacionin e MPB-së, profesionalizëm të plotë dhe dekriminalizimin e policisë.