Në Tetovë ekziston vetëm një stacion për matjen e ndotjes së ajrit ambiental dhe ka disa vite që ai gjendet në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në pjesën jugore të qytetit. Kur në oborrin e shkollës, aty ku ishte kaldaja për ngrohje qendrore të shkollës, u ndërtua një kopsht për fëmijë, kaldaja u dislokua dhe tani ndodhet vetëm disa metra larg stacionit matës.

Kjo vë në pikëpyetje saktësinë e të dhënave që i jep stacioni, pasi tashmë nuk i plotëson kriteret bazë për vendndodhjen e tij.

“Pikë kritike për vendosjen e stacionit matës të monitorimit të ajrit ambiental është pikërisht vendndodhja e tij dhe duhen plotësuar disa kritere. Sipas standardeve botërore dhe tona, stacioni matës duhet të jetë së paku 10 metra larg tehut të trotuarit, si dhe të paktën 25 metra nga udhëkryqi më i afërt. Instrumentet matëse duhet të vendosen në zonën e frymëmarrjes, pra në lartësi prej 1,5 metra deri në 4 metra, e në disa raste deri në 8 metra. Më e rëndësishmja, në afërsi nuk duhet të ketë asnjë burim tjetër ndotjeje. Disa nga këto parametra në rastin e stacionit matës të Tetovës nuk janë respektuar, sepse në afërsi të tij ka një kantier të madh, kurs vetëm pak metra pranë tij ka kaldajë, gjë që është e palejueshme. Prandaj, personalisht mendoj se duhet të fillohet me procedurë ligjore për ndryshimin e vendndodhjes së stacionit automatik për monitorim të ajrit të ambiental në Tetovë”, tha dr. Ratko Davidovski nga Qendra për shëndet publik në Tetovë.