Jemi të hapur për dialog dhe avancim të bashkëpunimit kulturor me të gjithë fqinjët. Njëri prej prioriteteve në punën time është të thelloj këtë bashkëpunim. Aq më tepër kur të gjithë ne në Ballkan, si pasardhës të perandorive të mëdha, ndajmë trashëgimi të përbashkët kulturore që është bazë e përbashkët për dialog të ndërsjellë dhe respekt reciprok. Këtë në intervistën për MEDIAL-n e deklaroi ministrja e Kulturës, Irena Stefoska duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe sa ndikon ajo në trashëgiminë kulturore.

Ministrja bëri të ditur se në të ardhmen do të iniciojë takime të shpeshta në nivel ministror me të gjitha vendet fqinje në drejtim të ndërtimit të politikave të përbashkëta kulturore si investim për të ardhmen.

Duke marrë parasysh faktin që për herë të parë vjen në këtë post, Stefoska bëri të ditur se prioritet kulmor do t’i jetë edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, eurointegrimet në kulturën, e fokus i veçantë do t’u kushtohet edhe të rinjve.

– Ndjej përgjegjësi si ministre e Kulturës të bëj çmos që është në domenin e autorizimeve të MEDIAL për mbështetjen e ideve dhe kreativitetit te të rinjtë. Vendosim një numër më të madh të masave stimuluese. Në përputhje me programin planifikohet rritje e numrit të qendrave kreative dhe inkubatorëve për shoqata të qytetarëve dhe artistë të pavarur, tha ministrja.

Sipas Stefoskës, Ministria e Kulturës përballet me probleme strukturore, që janë pengesë që kjo të jetë servis profesional i punëtorëve kulturor dhe i qytetarëve.

– Për mua si ministre, dhe për ekipin tim më të rëndësishme janë profesionalizmi, përgjegjësia dhe efikasiteti. Për këtë qëllim këtyre ditëve mbajmë takime intensive me të punësuarit në sektorët e Ministrisë së Kulturës, si dhe me drejtorët e institucioneve kombëtare në mënyrë që të konstatojmë gjendjen faktike, sqaroi ajo.

Lidhur me përmendoren Nëna Terezë, si një nga përmendoret e projektit “Shkup 2014”, Stefoska bëri të ditur se ekspertët kanë vërejtur një varg parregullsish, por siç tha, gjatë gjithë këtyre viteve Ministria bashkëpunon me Komunën Qendër dhe me realizuesin e përmendores, e në bashkëpunim edhe me Asociacionin e arkitektëve sërish do të rishqyrtohen të gjitha mundësitë dhe propozimet ligjore në mënyrë që të arrihet zgjidhje me të cilën, sqaroi ministrja, shkupjanët do të krenohen.

Ministrja pret që Ligji i ri i interesit publik në kulturë menjëherë të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa thekson edhe se bëhet fjalë për përmirësimin e kritereve në konkurset vjetore.