Ku e shohin studentët të ardhmen e tyre pas kryerjes së studimeve? Është Maqedonia vendi ku ata do të kontribuojnë për shoqërinë, apo do ta gjejnë veten diku jashtë kufijve të saj…

Medial.mk ka realizuar një anketë me studentët e UEJL-it në Shkup, për të marrë opinionin e tyre lidhur me temën, dilemë e ngritur kohëve të fundit, veçmas kur është në pyetje e ardhmja e tyre.

Ata kanë mendime të ndara rreth temës së apostrofuar, disa janë të vendosur që të vazhdojnë këtu ku janë, teksa ka edhe të tillë që të ardhmen e shohin nëpër vendet e Evropës.

Semra Ajeti, studente pranë UEJL-it shprehet se çdonjëri ka mendime të ndryshme, por të mendosh për çfarë duhet të vazhdosh këtu apo jashtë vendit, duhet menduar mirë. Ajo shpreh opinionin e saj se nëse mundesh të arrish sukses, “mundet edhe këtu në vendin ku jetojmë, pasi kemi mjaft vende pune”.

Ndërkohë, Erkan Xhaferi thotë se është mirë të qëndrosh në vendlindje, shton se në Maqedoni kemi mungesë të kuadrove të mirëfilltë apo cilësor në udhëheqjen e shtetit. Dhe, kur pyetet nëse dëshiron të largohet nga vendi, ai ka këtë përgjigje:

“Do të shkoja jashtë shtetit vetëm për t’u pasuruar me dituri për të marrë më tepër dituri dhe për të ardhur në vendin tim për t’i shfaqur ato njohuri”, thotë për Medial.mk, Xhaferi.

Një tjetër studente ka mendim krejt ndryshe:

“Nuk mendoj të vazhdoj në Maqedoni, shpresoj në të ardhmen vetën ta shohë në një vend tjetër për shkak të shumë arsyeve. Në Maqedoni nuk ka perspektivë, nuk ka kushte të mira, nuk ka punësime”, thotë ajo, duke shtuar se në Maqedoni duhet shumë gjëra për të ndryshuar.