Mediet kanë publikuar një video të regjistruar gjatë sulmit në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, ku shihet se si një nga huliganët të cilët hynë në Kuvend, mbante një armë në brez.

Videoja tregon se si një nga huliganët ka hyrë në sallën e konferencës për shtyp me armë në brez, ku cak sulmi ishin deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët, nga ku mbetën të lënduar rëndë disa deputetë dhe gazetar, por që më së shumti mbeti i lënduar kreu i LR-PDSH-së, Zijadin Sela.

Ndërkohë, kujtojmë se gjatë ditës së sotme, kreu i LSDM-së Zoran Zaev dhe deputetë të tjerë të kësaj partie kanë dëshmuar në prokurori për sulmin në Kuvend.

Zaev dëshmoi se ishin deputetët e VMRO-së ata të cilët u hapën dyert huliganëve dhe lejuan sulmin ndaj deputetëve.

Sakaq, ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, ka thënë mbrëmë gjatë një interviste se kamerat e sigurisë në Kuvend janë fshirë dhe se sulmi ka qenë i përgatitur. Sipas tij, presidenti Ivanv kishte si qëllim shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.