Policia sot doli me detaje lidhur me incidentin e armatosur që ndodhi në afërsi të shtëpisë së pleqve në lagjen e Fushë Tophanes së Çairit. Sipas buletinit policor, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00. Dy persona fillimisht iu kishin afruar 41 vjeçarit që ishte viktimë e incidentit. Njëri e kishte goditur fortë pas shpine me diçka të fortë, ndërsa tjetri sulmues kishte shtënë me armë drejt 41 vjeçarit, e kishte plagosur në pjesën e poshtme të trupit dhe më pas të dy sulmuesit ishin larguar.

Ministria e Punëve të Brendshme

“A.T u dërgua me emergjencë në Spitalin e Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”. Aty janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Dy plagë nga plumbi kishte në këmbën e majtë dhe një në këmbën e djathtë. Për shkak të seriozitetit të plagëve, ai është dërguar me shpejtësi në Spitalin Shtetëror”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se ekipet e tyre kanë marrë mostrat nga vendi i ngjarjes dhe po merren me zbardhjen e rastit.

Kujtojmë se ky nuk është incidenti i parë i armatosur në Çair, por fatmirësisht kësaj radhe nuk pati viktima. Nga nëntori e deri më tani, në çdo muaj kishte nga një vrasje por policia dhe prokuroria ende nuk kanë dalë me asnjë emër vrasësi. Më 21 janar një grua 41 vjeçare humbi jetën nga goditjet me thikë të familjarit të saj dhe vetëm në këtë rast vrasësi u kap në vendin e ngjarjes pasi ishte plagosur. Në fund të nëntorit të 2017-ës, në afërsi të çajtores “Diseldorf” ndërroi jetë Ismet Koka Arifi pasi e kishin qëlluar me breshëri plumbash. Vrasësi i tij ende nuk është kapur. Vrasja tjetër ndodhi pas më pak se një muaj. Më 20 dhjetor u vra 24 vjeçari Burim Idrizi edhe atë përballë shkollës së mesme Cvetan Dimov në kohën kur nxënësit po lëshoheshin nga shkolla, dhe ende sot e kësaj dite nuk ka asnjë informatë lidhur me vrasësin. /Shenja