Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të zhvillohet më 14 shtator, ka konfirmuar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josef Borrell.

Ky paralajmërim vjen pasi që emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave kishte zhvilluar bisedë me liderët e Kosovës dhe Serbisë me qëllim të përgatitjes së terrenit për mbajtjen e një takimi të ri në nivel më të lartë politik.

Do të jetë ky takimi i parë i tyre, në kuadër të dialogut, pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të muajit maj.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq herën e fundit kanë zhvilluar biseda në procesin e normalizimit të marrëdhënieve më 2 maj të këtij viti, pak ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri.