Takimi i njohur si Zhan Mone mes liderëve të partive politike parlamentare i cili pritej të mbahej në Paris më 25 dhe 26 janar është anuluar. Ndërkohë, së shpejti pritet një takim liderësh në Shkup.

Anulimin e takimit Zhan Mone e konfirmon edhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi. Ai ishte caktuar në koordinim dhe me sugjerim të eurodeputetëve Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtejn. Qëllimi ishte që partitë parlamentare të gjejnë gjuhë të përbashkët për reformat dhe ligjet që kërkojë 2/3 në Kuvend. Xhaferi njoftoi se takimi do të shtyhet për në muajin mars, me qëllim që ai të mos marrë konotacionin e debatit për zgjidhjen e çështjes së emrit, me të cilën opinioni është i preokupuar këtë periudhë. Arsye shtesë, sipas Xhaferit janë edhe ndryshimet në udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së dhe koha për të cilën ka nevojë kjo parti për t’u konsoliduar.

Nga ana tjetër, një takim tjetër me krerët shtetëror, përfshirë presidentin Gjorge Ivanov dhe liderët politik së shpejti pritet të mbahet në Shkup. Pavarësisht se data e takimit mbetet e pakonfirmuar, ai mund të realizohet ditën e shtunë. Pjesëmarrjen e liderit të saj Kristijan Mickovski e ka konfirmuar edhe VMRO-PDMNE. Një takim i këtillë liderësh ishte konfirmuar edhe nga Qeveria, nga ku thanë se propozimet konkrete që do të dalin nga negociatat si dhe takimi Zaev – Cipras për çështjen e emrit, të diskutohen për t’u arritur edhe konsensusi i brendshëm politik me opozitën. /Alsat M/