Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan për herë të parë në kuadër të samitit të G20-s në Hamburg, një përballje që pritej me mjaft interes.

Takimi i dy presidentëve zgjati 2 orë e 16 minuta, jashtëzakonisht më shumë sesa ishte parashikuar, dhe përfundoi me një marrëveshje për pakësimin e dhunës në Siri.

Kjo u konfirmuar nga kryediplomati amerikan Rex Tillerson, i cili bashkë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishin të pranishëm në takim.

Tillerson tha se, Trump dhe Putin ranë dakord për një armëpushim në jugperëndim të Sirisë, diçka që tregon se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë të afta të punojnë bashkë për këtë krizë në Lindjen e Mesme.

Pak e prisnin, por Trump ngriti edhe çështjen e ndërhyrjes së pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane, diçka për të cilën Tillerson tha se dy udhëheqësit zhvilluan një diskutim të fortë. Tillerson tha se presidenti rus mohoi çdo përfshirje, ndërsa në krahun tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se presidenti amerikan pranoi konfirmimin e Putinit se, pretendimet s’janë të vërteta.

Mes temave të tjera të diskutuara në takim ishin Ukraina, Koreja e Veriut, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike. Tillerson pranoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pikëpamje të ndryshme për disa nga këto çështje, si Ukraina dhe Koreja e Veriut, por theksoi se dy udhëheqësit u kuptuan mjaft mirë me njëri-tjetrin.

Mjaft diplomatik, edhe nga pala ruse, ishte përshkrimi i takimit. Agjencia e lajmeve ruse “Sputnik”, duke cituar presidentit Putin, konfirmoi temat e diskutuara në takim dhe vullnetin e shprehur nga palët për të punuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ndërsa samiti i G20-s zyrtarisht është i fokusuar te ndryshimet klimatike dhe tregtia, janë takime të tilla dypalëshe në kuadër të tij që vendosin të ardhmen, megjithëse detajet e tyre janë të zorshme të zbulohen.

Jo më kot, në hapje të samitit, organizatorja e tij, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, të gjithë pjesëmarrësit janë të ndërgjegjshëm për sfidat e mëdha globale dhe kohën e shkurtër në dispozicion.

Pritshmëritë për samitin janë të ulëta, pasi qëndrimet e vendeve janë të qarta, sidomos në çështjet kryesore si klima apo tregtia, por gjithsesi Merkel nguli këmbë se ajo do të punojë për të gjetur kompromise.