Kryetari i ASH-së, Arben Taravari i është përgjigjur thirrjes së nënkryetarit të Lëvizjes BESA, Fatmir Limani që Aleanca për Shqiptarët ti bashkëngjitet frontit opozitar.

“ASH është parti autonome dhe serioze, vendimet i sjell në strukturat partiake, pas analizave që i bën dhe në bazë të vullnetit të anëtarësisë. Për një gjë jam më se i sigurt, se bashkëpunimet nuk bëhen me debate televizive dhe me ftesa publike”, theksoi për TV21, kreu i ASH-së, Arben Taravari.

Sipas tij, bashkëpunimet nuk bëhen me thirrje të këtilla në distancë.

Limani nga Lëvizja Besa sot sërish i bëri thirrje Aleancës për Shqiptarët që t’i bashkëngjitet frontit opozitar, ku janë Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa. Ai tha se nuk është aksidentale edhe vetë largimi i tij nga BDI.

“Në 7-8 vitet e luajtjes në terrenin e frymës opozitare, nuk e meriton votuesi i opozitës, Aleancës, që sot të jetë pjesë përbërëse e një qeverie të krimit, edhe ata janë të vetëdijshëm për këtë pjesë. Provoi edhe Alternativa të rrugëtojë bashkë me ato, e shfrytëzuan deri një periudhë të caktuar edhe mandej e përplasën si të paqenë, i njëjti fat do t’i ngjajë edhe ASH-së nëse nuk ndërmerr hapa në kohë”, deklaroi mes tjerash Limani.