Arben Taravari vazhdon të mbajë qëndrimin se MASH po instrumentalizohet për hakmarrje politike. Në një prononcim për fol.mk, i pari i Gostivarit u shpreh se marrja e kompetencave nuk ka për bazë parregullsitë ligjore, por presion politik të ushtruar nga BDI dhe LSDM, me qëllim pengimin e proceseve shoqërore.

”Kjo është hakmarrje politike tipike”, shprehet shkurtë Taravari, duke shtuar se aspak nuk bëhet fjalë për ndonjë parregullsi ligjore.

Profesoresha e juridikut, Arta Zeneli-Bilalli thotë se marrja e kompetencave nga komunat, e zbeh karakterin e decentralizimit, pasi për emërimet dhe shkarkimet, në këtë rast të drejtorëve të shkollave, privohet pushteti lokal. A ka vërtetë parregullsi ligjore, me qëllim që MASH t’ua merr kompetencat komunave apo është revanshizëm politik, për këtë flasin opinionistët politik Robert Nesimi, Xhenis Sulimani dhe profesori universitar Sefer Tahiri.

”MASH ka të drejtë t’ua merr kompetencat kryekomunarëve, kjo për faktin se ligji për decentralizimin, që kur u soll në vitin 2004 kishte mangësi. MASH nëse sheh ndonjë parregullsi ligjore, ka të drejtë t’ua merr kompetencat kryetarëve të komunave. Në aspekt ligjor, pushteti ka të drejtë të merr kompetencat. Në fakt, prej kur u bë decentralizimi në vendin tonë, u bë me mangësi në këtë drejtim, se ka të drejtë t’ia merr kompetencat pushtetit lokal nëse sheh parregullsi. Decentralizimi ka pas parregullsi prej fillimi, gjegjësisht që kur u soll ligji për decentralizim. Sepse, faktikisht nga njëra anë ne kemi decentralizim, por në çdo moment me vullnet të pushtetit qendror, decentralizimi edhe kufizohet dhe kjo në fakt nuk është decentralizim si funksionojnë vendet që kanë tamam kantone. Sepse, siç thash, që në vitin 2004, ky ligj kishte mangësi dhe prandaj ndërhyrja e pushtetit qendror tek kompetencat e pushtetit lokal bëhet edhe pa vullnetin e kryekomunarëve. Edhe pse në këtë rast, nuk kam informacione nëse MASH sheh arsye për marrjen e komptencave apo thjeshtë bëhet për ndonjë hakmarrje politike, këtë nuk mund ta them. Mendoj se MASH duhet të jetë më transparent në justifikimin e veprimeve që i ndërmerr”, deklaron Bilalli-Zendeli.

Nga ana tjetër, opinionisti Robert Nesimi thotë se pa marrë parasysh arsyetimet e ministrisë, është e qartë se goditja e komunës më të madhe opozitare, e udhëhequr nga sekretari i partisë me të madhe opozitare, është një vendim krejtësisht politik.

”Janë përralla fëmijësh qëndrimet e ministres, nga 80 komuna vetëm në Gostivar qenkan vërejtur parregullsi dhe shkelje procedurale. Pra, duhet ta kemi të qartë se bëhet fjalë për goditje politike dhe jo teknike, njëlloj siç i bëri dyshja VMRO-BDI Rufi Osmanit tetë vite më parë.

Sa ju përket shkaqeve të vërteta të këtij hapi, mendoj se akti ka disa qëllime politike.
Së pari, Gostivari dhe komunat tjera opozitare pengohen nga pushteti nga frika se mund të kenë rezultate që do të çmohen nga qytetarët dhe neser mund të perkthehen në fitore, në zgjedhje. E dyta, pushteti dërgon mesazh ndëshkimi, duke bërë me dije se është i gatshëm të përdorë të gjitha mekanizmat kundër kujtdo që guxon ta kundërshtojë, në këtë rast Aleancën për Shqiptarët dhe Arben Taravarin. E treta, me kësi aktesh pushteti tenton të ringjallë shpresat te strukturat politikisht të ‘vdekura’, siç është dega e BDI-së në Gostivar dhe tarafin e Nevzat Bejtës, gjoja se ata ende jane në pushtet edhe pse kanë humbur zgjedhjet. Por, personalisht mendoj se akti nuk do të arrijë asnjërin nga këto qëllime. Qytetaret do të dijnë të çmojnë punën e kryetarëve opozitare, përskaj pengesave që iu bëhen nga pushteti, opozita nuk do të frikësohet, as strukturat dhe figurat politikisht të ‘vdekura’ nuk do të mund më kurrë të ringjallen.

Përkundrazi hapat e këtillë vetëm se rrisin mllefin e qytetarëve shqiptarë kundër pushtetit dhe LSDM-së si eksponentë kryesorë të saj. Përderisa gjëra të këtilla priteshin nga BDI e cila ka vepruar njëlloj në tandem me VMRO-në, është shqetësuese sa shpejtë edhe vetë LSDM futet në këpucët e VMRO-së dhe mënyrës së vjetër të funksionimit. Bashkë me LSDM-në viktimë e këtyre manovrave bie edhe koncepti “Një shoqëri për të gjithë”. Tani po shihet se “jeta” ka ardhur vetëm për gjysmën e Maqedonisë, ndërsa tek shqiptarët do të vazhdojë avazi i vjetër”, thekson Nesimi.

Nesimi më tej shton se me veprimet të këtilla, LSDM vendos edhe një gozhdë në arkivolin e shoqërisë së përbashkët.

Profesori Sefer Tahiri vlerëson se marrja e kompetencave të komunave, në këtë rast Gostivarit nga Ministria e Arsimit është hakmarrje politike, e ndikuar nga partneri i koalicionit në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi Arben Taravari nuk është pjesë e partisë qeverisëse.

”Edhe pse mund të ketë ndonjë veprim që nuk është në përputhje me ligjin dhe mund të ketë revanshizëm politik në arsim nga Taravari, por Ministria e Arsimit nuk duhet të jetë elektive në dimensionin partiak- politik, pasi nëse do zbatonte kriterin e ligjshmërisë dhe mosdiskriminimit politik, atëherë kompetencat duhet të merren shumë kryetarëve të komunave si të LSDM-së, poashtu edhe të BDI-së. Prandaj, konsideroj se edhe parlajmërimi për marrjen e kompetencave kryetarit të Komunës së Zhelinës, është shmebull i revanshizmit politik dhe kjo praktikë duhet të ndërpritet, siç edhe kryetarët e komunave duhet të ndërpresin praktikën e largimit të mësimdhënësve nga procesi arsimor, vetëm pse nuk janë në linjë partiake me kreun e komunës”, potencon profesori Sefer Tahiri.

Politikologu Xhenis Sulimani për Fol thotë se ligji duhet të vlejë për të gjitha palët njëjtë. Interpretimi i ligjit sipas tekeve partiake është praktikë e njohur në shoqërinë tonë, por jo dobiprurës.

”Kudo nëpër komuna, zakonisht kryekomunarët vendosin edhe për drejtorët e shkollave. Shpesh këto akte janë marrëveshje mes partnerëve në pushtetin lokal. Marrja e kompetencave të kreut të komunës së Gostivarit nga MASH për t’i emëruar drejtorët e shkollave, derisa në komunat tjera nuk është bërë një gjë e tillë është novitet dhe shkon ka dyshimi se targetohet dobësimi i kryekomunarit Taravari, i cili qysh gjatë fushatës elektorale ka qenë cak i binomit LSDM-BDI, për të mos fituar vendin e të parit të Gostivarit”, vlerëson Sulimani.

Përndryshe, ministrja e arsimit Renata Deskoska ditë më parë tha se vendimi për marrjen e
kompetencave vjen pas kontrolleve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, pasi kryetari ka shkarkuar dhe emëruar drejtorë jashtë procedurës ligjore. Poashtu, me vendim të saj janë anuluar të gjithë vendimet e Taravarit për shkarkim dhe emërim të drejtorëve në shkollat e Gostivarit. /Fol/