Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i ftuar në emisionin ClickPlus tha se ai mund të kishte zgjedhur edhe rrugën më të thjeshtë, duke siguruar disa deputetë në Kuvend, por ai u shpreh se në këtë mënyrë do të humbnin edhe më tej mbështetjen e votuesve. Taravari tha se me rrugën që ai ndërmori po sheh një kthim të njerëzve te Aleanca për Shqiptarët dhe nuk dëshiron ta humbasë këtë përkrahje që po merr.“

Nëse duhej të zgjidhja interesin tim, ideale do të ishte të vendosim në pozicione disa njerëz, t’i bëjmë deputet, por do të shkëputeshim prej votuesve, prej simpatizantëve, do të shkëputeshim prej atyre që kanë besuar vërtetë prej 10 vjetësh. Kauza kryesore e ASH-së ka qenë ndryshimi. Unë zgjodha rrugën që është shumë më e vështirë, por shoh se po marrim përkrahje dhe po na kthehet anëtarësia. Po na bashkëngjiten njerëz që kurrë nuk janë marrë me politikë, sepse besojnë se mund të sjellim ndryshimin te shqiptarët.”- tha Taravari.