Forcë e parë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel del PS-ja. 70 të dënuar ushtruan të drejtën e tyre për të zgjedhur ligjvënësin për qarkun e Dibrës.

Mësohet se dy nga të dënuarit e kanë bërë fletën e votimit të pavlefshme. Por nuk dihet nëse shkaqet e këtij veprimi janë nga pakujdesia apo se kështu e kanë menduar. Sipas të dhënave, forcë e parë në këtë burg ka rezultuar Partia Socialiste me 29 vota, Lëvizja Socialiste për Integrim ka fituar 15 vota, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka marrë 14 vota, Partia Demokratike ka fituar 9 vota dhe Lista e Barabartë një votë, shkruan Panorama.

Mësohet se disa të dënuar dhe punonjës të administratës kanë bërë fushatë për tri subjektet politike që kanë dalë të parat. Socialistët kanë pritur një rezultat më të mirë, duke u shprehur se kushtet dhe standardet e të burgosurve janë përmirësuar ndjeshëm.

Ndërkaq, mbrëmë përfundoi procesi i numërimit të votave në katër KZAZ-të e Qarkut Dibër, në Bashkitë Mat, Klos, Bulqizë e Dibër. Ashtu siç pritej, ka pasur një rivalitet të fortë mes katër subjekteve politike në garë, PS-së, PD-së, LSI-së dhe PDIU-së.

Kjo e fundit rezultoi më e votuara në rrethin e Dibrës, duke sfiduar dy subjektet tradicionale, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Kandidatja Reme Lala ka fituar 9971 vota vetëm në Dibër, ndërkohë që edhe në Mat, Klos e Bulqizë ka fituar afro dy mijë vota, duke siguruar kështu një mandat deputeti të sigurt.

Sipas KZAZve, Partia Socialiste rezulton më e votuara në rang qarku me 24.276 vota ose 34%, PD me 20.665 vota ose 29%, LSI 11.831 vota ose 16% dhe PDIU 11.613 vota ose 15%. Nëse kandidatët e PS-së, PD-së dhe LSI-së kanë fituar vota edhe në njësitë e tjera vendore, kandidatja e PDIU-së e ka fituar mandatin me votat e dibranëve.