Pas arritjes së marrëveshjes misi partnerëve shqiptarë të koalicionit qeverisës për ndarjen e posteve në eshalonin e dytë dhe të tretë, mësohet se votimi i zv/ministrave të rinj do të bëhet të mërkurën. Partitë janë marrë vesh që zv/ministrat e Mbrojtjes, ministrisë së Brendshme, asaj të Financave dhe të Arsimit t’i takojnë BDI-së ndërsa Aleancës për Shqiptarët i takon zv/ministri për Punë dhe Politikë Sociale dhe ai për Transport dhe Lidhje. Ekspertët vlerësojnë se problemi nuk qëndron tek pozicionet, por tek kuadrot të cilët partitë shqiptare do t’i vendosin në pozitat e caktuara.

Sa i përket sekretarëve shtetëror 4 do i takojnë BDI-së dhe atë në Mistrinë e Kulturës, Ministrinë e Bujqësisë, Sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit dhe në Ministrinë e Shoqërisë Informatike.  Aleancës për Shqiptarët do t’i takojnë 2 sekretarë shtetëror të cilët jo zyrtarisht do të jenë një sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tjetri në Ministrinë e Drejtësisë.