Të mërkurën Këshilli Gjyqësor ka thirrur seancë për zgjedhjen e gjykatësve në Apel. Alsat ka siguruar listën prej 8 gjykatës, të cilët do të shkojnë në gjykatën e shkallës së dytë, 4 për materie penale dhe 4 për materie civile. Parimi i përzgjedhjes shkon 3 të radhiturit me pikët vlerësuese më të lara nga etnia maqedonase dhe i pari nga etnia shqiptare. Në listën e përpiluar, për gjykatës në Apel për materie penale rezulton edhe Lazar Nanev për të cilin së fundi është krijuar konflikt mes Këshillit Gjyqësor dhe ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga. Ky i fundit ka urdhëruar që në Kavadar, komisioni për mbikëqyrjen e AKMIS të bëjë kontroll të jashtëzakonshme. Jo zyrtarisht mësohet se kontrolli ka konstatuar lëndë të ruajtura në sirtarë për të më tepër se një vit, por raporti zyrtar pritet të publikohet vetëm pas përpilimit dhe shqyrtimit në Këshill Gjyqësor. Nëse kjo situatë në Gjykatën Themelore të Kavadarit do ta penalizojë Lazar Nanevin për të vazhduar karrierën e tij në Apel, kjo varet nga vendimi i anëtarëve në Këshill. Gjykatësit e tjerë të cilët pritet të marrin besimin e anëtarëve të këshillit janë: Gabriella Gajdova nga Velesi, Ola Ristova dhe Osman Shabani nga Gjykata Penale e Shkupit.

Nga gjykatat civile në Apel për materie civile do të shkojnë 4 gjykatës. Emrat e kualifikuar janë: Elizabeta Nastov, Aleksandar Shopov dhe Natalija Doneva, ndërsa kryetari aktual i Gjykatës Themelore Shkup 2, Ilir Sulejmani është ndër gjykatësit me kualifikimin më të lartë nga grupi i gjykatësve me etni jo maqedonase, përkatësisht gjykatës shqiptar.

Nga 8 emrat e lartpërmendur, për 7 prej tyre mësohet se anëtarët e këshillit nuk kanë rezerva, ndërsa përzgjedhja e Lazar Nanevit vihet në pikëpyetje vetëm për faktin se ai së fundi është ballafaquar me akuza nga ministri i Drejtësisë, ndërsa në korrik të këtij viti ai kishte aplikuar edhe për anëtar të Këshillit Gjyqësor, por nuk arriti të kalojë për shkak të numrit të vogël votave që kishte marr nga kolegët gjykatës. Emri i tij ishte i lakuar edhe për kryeprokuror, përkatësisht pasardhës i Lubomir Joveskit të cilit i përfundon mandati në fund të dhjetorit. /Alsat.mk