Të ardhurat nga shitja e “Telekomit të Maqedonisë” në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në krahasim me vitin e kaluar, janë rritur për 0,7 për qind dhe janë 5.177 milionë denarë. Fitimi operativ para interesave, tatimimit dhe amortizimit (EBITDA) është ulur për 2,7 për qind, për shkak të rritjes së shpenzimeve operative në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kumtoi sot kompania.

Prej atje vlerësojnë se në gjysmën e parë të këtij viti shënojnë rezultate të mira kundrejt të gjitha sfidave të punës që i imponoi Kovid-19 dhe potencojnë se vazhdon me trendin e rritjes së numrit të shfrytëzuesve në segmentin e internetit dhe televizionit.

“Si rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm për lidhjen e shfrytëzuesve dhe sigurimin e shërbimeve cilësore edhe në kushte të pandemisë, është rritur baza e shfrytëzuesve me qasje deri te interneti me shtrirje të gjerë për 4,8 për qind, me çfarë numri i përgjithshëm arrin 207 mijë. “Telekomi i Maqedonisë” edhe më tej mbetet në pozicion lider në TV segmentin e tregut, duke ofruar përmbajtje ekskluzive dhe përvojë unike të TV. Me rritjen e numrit të shfrytëzuesve për 4,7 për qind (duke i përfshirë Magenta 1, Internet&ТV dhe TV shërbime të tjera), në gjashtë muajt e parë nga viti 2020 MKT e përforcon pozicionin e vet me bazë prej mbi 138 mijë parapagues”, qëndron në kumtesë.

Prioritet kryesor i “Telekomit të Maqedonisë” me paraqitjen e Kovid-19, shtojnë, ishte të sigurojë lidhje të papenguar të shfrytëzuesve përmes rrjetit cilësor dhe të qëndrueshëm në kushte të kërkesës së madhe për internet.