I ftohti siberian, dëbora dhe era e fuqishme sot e ngrinë detin në gjirin Ivinj në Tisno, Kroaci.

Temperatura më e ulët në mëngjes në Kroaci është matur në Zavizhdan, minus 21 gradë Celsius, ndërsa në Gorski Kotar kanë rënë tre metra dëborë kështu që nga disa shtëpi nëntokësore nuk shikohet përmes dritares, njoftuan mediat kroate.

Mjekët i këshillojnë kroatët se si t’i mbijetojnë këto ditë të ftohta, duke e përfshirë edhe atë se cili ushqim është më i mirë të hahet.

Nën ndikim të të ftohtit siberian që nga lindja po zgjerohet drejt Gadishullit Ballkanik, i gjithë rajoni është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës, e cila ka rënë madje edhe në pjesë të bregdetit të Adriatikut.

Sipas Entit hidrometeorologjik malazez, më shumë dëborë ka në Mal të Zi ka rënë në Zhablak ku është formuar mbulesë dëbore nga 97 centimetra, ndërsa dëborë ka në Podgoricë, Cetinjë, Kollshin, Shavnik, Rozhaje, Andrijavica, Bijello Pole dhe Plevla.

Dëborë ka rënë dje dhe në portin malazez Tivar, i cili së shpejti ka kaluar në shi.

Drejtoria për gjendje të jashtëzakonshme pranë Ministrisë malazeze të Punëve të Brendshme u bëri thirrje të gjithë institucioneve që ta rrisin shkallën e gatishmërisë para vrullit të valës së të ftohtit.

Pjesa më e madhe e Bosnjë e Hercegovinës gjithashtu është mbuluar me dëborë, me ç’rast mbulesa më e lartë e dëborës prej 183 centimetra është matur në Bjellashnicë.

Në këtë rajon është matur edhe temperaturë prej minus 16 gradë Celsius, në Han Pjesak nga minus 11, në Tuzla minus gjashtë, Banjalukë dhe sarajevë nga minus pesë, ndërsa në Mostar një gradë mbi zero.

Dëborë nga dje po bie edhe në gjithë Serbinë, ku gjithashtu janë matur temperatura nën zero.

Dëbora po shkakton probleme në zhvillimin qarkullimit në pjesën më të madhe të Ballkanit, para së gjithash në vendet më të larta. tani për tani nuk ka informata për viktima gjatë motit të lig.

Meteorologët paralajmërojnë se mot jashtëzakonisht i ftohtë, i ndjekur me temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës, do të vazhdojë gjatë gjithë kësaj jave.