Bashkësia Lokale e fshatit Sllatinë i është drejtuar me një kërkesë Komunës së Tearcës për realizimin e projekteve për këtë fshat në këtë vit. Sipas drejtuesve të Bashkësisë Lokale të Sllatinës, më prioritare është që të mbulohet gypi i ujësjellësit në bjeshkët e Sharrit prej nga furnizohet ky fshat me ujë të pijshëm, shkruan gazeta KOHA.

“Si më prioritare dhe më e nevojshme është mbulimi i gypave të ujësjellësit të pijshëm si pasojë e vërshimeve dhe kushteve klimatike. Njëherësh, kjo është edhe rruga e cila dërgon deri te burimet e ujit të pijshëm ku rrjeti është i shtruar vetëm deri tek një pjesë, si dhe ndërtimi i rrjetit sekondar të ujësjellësit”, qëndron në kërkesën e bashkësisë lokale të fshatit Sllatinë drejtuar autoriteteve të Komunës së Tearcës. Fshati Sllatinë tashmë një kohë të gjatë ka problem me ujin e pijshëm, sidomos gjatë verës – kur harxhimi i ujit rritet në mënyrë enorme, ndërsa si zgjidhje kyçet uji nga rrjedha e lumit të fshatit, por që nuk mund të përdoret për pije, por vetëm për pastrim dhe nevoja të amvisërive. Më tej, në kërkesë qëndron se prioritet është edhe ndërtimi i trotuarit përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë në një pjesë të këtij fshati.

“Gjithashtu, prioritare është edhe vazhdimi i rrugës për këmbësorë, gjegjësisht trotuari në rrugën magjistrale Tetovë-Jazhincë, ku për momentin ka arritur deri tek varrezat e fshatit. Arsyeja është më se e nevojshme, sepse kërkojmë të vazhdojë edhe më tej. Në atë drejtim kemi banorë dhe fëmijë të cilët janë nxënës të shkollës fillore dhe kalojnë çdo ditë në këmbë rrugën magjistrale me rrezik të lartë, ku kemi pasur edhe viktima viteve të fundit”, thotë Qenan Hismani, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Sllatinë. Pikërisht në këtë pjesë që ka mbetur ende pa u bërë me trotuarë, gjatë vitit të kaluar u regjistruan dy viktima të moshës së re të cilët u aksidentuan në këtë pjesë të rrugës. Krahas këtyre kërkesave, poashtu për banorët e fshatit Sllatinë është me rëndësi që të rregullohen edhe disa rrugë me bekatona.

“Dislokimi i shtyllave të rrjetit të rrymës dhe elektrifikimit në fshat. Rregullimi i kanalit me gypa dhe mbulimi me truall si dhe finalizimi me begatona i vendit ku mund të shfrytëzohet si hapësirë parking. Asfaltimi i rrugës së fshatit, bekatonizimi i lagjeve që kanë ngelur pa bekatonizuar dhe rregullimi i trotoareve në brendësi fshatit e sidomos në pjesët e ngelura përgjysëm. Rrafshimi dhe tamponimi i rrugëve të fushës”, thonë nga bashkësia lokale e fshatit Sllatinë. Më tej është kërkuar që të bëhet pastrimi i shtratit të lumit.

“Pastrimi i shtratit të lumit të fshatit prej në pjesën e poshtme të rrjedhës përfshirë këtu edhe deponinë e fshatit. Ndërtimi i kanaleve të ujitjes së fushës. Vazhdimi i shtrimit dhe zbukurimi i shtratit të lumit në brendësi të fshatit nga aty ku ka ngelur prej disa vitesh”, kërkojnë banorët e Sllatinës. Përndryshe, fshati Sllatinë ka rreth 5 mijë banorë, ndërsa banorët ankohen për infrastrukturë të dobët nëpër rrugët e fshatit. Nga Komuna e Tearcës kanë theksuar se janë të gatshëm që të përgjigjen në të gjitha kërkesat e bashkësive vendore të të gjithë fshatrave që gravitojnë në këtë komunë. (koha.mk)