Nga 500 deri në 600 euro në muaj, paguan çdo amvisëri në lagjen Drenoc të Tetovës, për furnizim me ujë për pije. Kjo është zgjidhja e vetme që kanë këta banorë, të cilët prej vitesh, vuajnë mungesën e ujit. Megjithatë që ironia të jetë edhe më e madhe 500 shtëpitë e kësaj lagjeje paguajnë rregullisht faturat e NP Komuale, për një shërbim që asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar.

“Kjo zgjidhje me furnizim privatisht me ujë, që banorët pretendojnë se i kanë gjetur zgjidhje, një amvisërie në muaj i kushton minimum 30.000 denarë dhe arrin deri në 36 000 denarë. Interesant është fakti se, edhe përkundër furnizimit privatisht me ujë, këta amvisëri i paguajnë edhe faturat Ndërmarrjes Publike, për ujësjellësin”.

“Ka 18 vjet që jam në këtë lagje ujë nuk kam, punojmë me hidrofor, bartin ujin me traktora. Isha te ujësjellësi iu thash mos më dërgoni më faturë për pagesë,se unë paguaj traktorin, 10 euro një bure, një bure e gjysmë apo dy i harxhoj në ditë unë. 550 euro ose 600 në muaj, në hall jemi”.

“Ka dy javë që s`na vjen asnjë pikë uji. Ne komunës ia paguajmë taksat për ujin dhe blejmë privat, nga dy bure tre bure sepse s`kemi zgjidhje. Një bure 1000 litërshe 10 euro”.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale, mbajnë qëndrimin e njëjtë se ujë ka, por keqpërdoret nga lagjet e poshtme. Ndërkohë që zgjidhjen afatgjate të këtij problemi e shohin në lëshimin në përdorim të sistemit të ri të ujësjellësit, gjë sipas tyre pritet të ndodh kah fillimi i javës së ardhshme./Alsat-M