Teuta Rugova nuk do ta votoj Ramush Haradinajn për kryeministër të vendit. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Sipas tij, Teuta e ka bërë të qartë vendimin e saj se votën nuk e ka ndarë nga LDK-ja.

Lexoni një pjesë të përgjigjes së Lutfi Haziri:

Zëri: Cili është komenti juaj për marrëveshjen e Teuta Rugovës me Ramush Haradinajn?

Haziri: Ne nuk kemi bërë marrëveshje. Ajo është vizitë e z. Haradinajt në familje dhe është vizitë që është publikuar e është përcjellë me interesim jashtëzakonisht të madh dhe unë nuk dal jashtë asaj që ka thënë znjsh. Rugova se ajo mendon se koalicioni PAN e ka një mandatar, i cili kërkon qeverisje gjithëpërfshirëse, nuk thotë që të votohet kandidati i PAN-it. Teuta thotë për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe votën e saj nuk e ka ndarë nga LDK-ja kështu që unë pres në seancë ajo të tregojë a e konfirmon deklarimin e saj apo ka ndryshuar nga ky qëndrim. Deri më sot ajo ka thënë që nuk e distancon votën e vet prej Grupit Parlamentar të LDK-së. Familja e Rugovës ka një peshë të rëndësishme për LDK-në, por unë bëj thirrje që të mos përzihen këto dy çështje se Kryesia e LDK-së vendos e pavarur nga këto ndikime dhe nga këto spekulime që dalin. Familja e Rugovës, e Adem Jasharit, familje të mëdha në këtë vend nuk duhet të shfrytëzohen politikisht nga askush e aq më pak nga njerëz, të cilët pretendojnë të ndërtojnë konsensus politik dhe qeverisje të qëndrueshme në këtë vend./Zeri