Të ardhurat dhe hyrjet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për dhjetë muaj e vitit janë në suaza të pritjeve për këtë periudhë, ndërsa pagesat e shpenzimeve janë realizuar rregullisht dhe në kohë, përcjell Fol.

Këtë e theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski sot duke e elaboruar Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet.

Tha se të ardhurat e përgjithshme janë realizuar në vlerë prej 146,4 miliardë denarë apo 79 për qind, gjegjësisht ato janë më të larta për 4,4 për qind në krahasim me ato në këtë periudhë nga viti paraprak. Nga kjo shumë, 87 miliardë denarë janë të ardhura tatimore, të cilat shënojnë rritje prej 3,4 miliardë denarë apo katër për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Të ardhurat nga TVSH-ja janë realizuar për 1,9 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin 2016, gjegjësisht arritën nivel prej 39,9 miliardë denarë dhe të njëjtat dominojnë në strukturën e të ardhurave tatimore me 45,9 për qind.

Të ardhurat nga tatimi personal i të ardhurave në periudhën janar-tetor të vitit 2017 janë paguar në vlerë prej 12 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 7,5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në të njëjtën periudhë janë paguar të ardhura nga tatimi i fitimit në vlerë prej 9,9 miliardë denarë dhe janë për 10 për qind më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Më të larta nga të planifikuarat janë të ardhurat nga akcizat edhe në dhjetë muajt nga vitit 2017 ata kanë arritur nivel prej 19,3 miliardë denarë, që është për 4,1 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Të ardhurat nga kontributet sociale janë realizuar në vlerë prej 42,9 miliardë denarë, që është për dy miliardë denarë apo 4,9 për qind më shumë nga periudha përkatëse në vitin 2016. Me ç’rast, në bazë të sigurimit pensional janë realizuar 28,9 miliardë denarë, ndërsa në bazë të sigurimit shëndetësor janë paguar 12,2 miliardë denarë.

Në periudhën janar-tetor të vitit 2017, të ardhurat jotatimore arrijnë 11,3 miliardë denarë, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016 janë më të larta në vlerë prej 438 denarë, gjegjësisht katër për qind.

Në këto korniza dominuese janë të ardhurat jotatimore të shfrytëzuesve buxhetor të llogarive personale, të cilat janë realizuar në nivel prej 7,2 miliardë denarësh dhe taksave administrative të realizuara në vlerë prej 1,3 miliardë denarësh.

Të ardhurat kapitale arrijnë 1,2 miliardë denarë dhe janë më të ulëta për 34,4 për qind në krahasim me periudhën e krahasuar nga viti i kaluar si rezultat i dividendës më të ulët nga SHA Telekomi i Maqedonisë.

Shfrytëzuesit buxhetor kanë realizuar edhe 3,8 miliardë denarë në bazë të donacioneve nga bashkëpunimi ndërkombëtar, multilateral dhe bilateral.

Shpenzimet në periudhën janar-tetor të vitit 2017 u realizuan në vlerë prej 157,6 miliardë denarë apo rreth 77,5 për qind, gjegjësisht ata janë për 6,5 miliardë denarë apo 4,3 për qind më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në këtë periudhë, tha ministri, në kohë dhe pa pengesa shlyhen të gjitha detyrimet e shfrytëzuesve buxhetor, të drejtat ligjore të qytetarëve dhe detyrimet e shlyera.

Nga janari deri në tetor këtë vit është realizuar deficit i Buxhetit të RM-së në vlerë prej 11,3 miliardë denarë që është për 345 milionë denarë apo 3,2 për qind më pak nga deficiti përkatës në vitin 2016.

Borxhi shtetëror i Republikës së Maqedonisë më 30 shtator të vitit 2017 arrin 3,9 miliardë euro, gjegjësisht 37,8 për qind nga BPV, ndërsa borxhi publik arrin 4,7 miliardë euro, gjegjësisht 45,8 për qind nga BPV-ja. /Fol/