Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë.

Thaçi ka thënë se si president i Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Si president e mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarr që të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, kjo u konfirmua edhe mbrëmë me vendim unanim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shtuar se më e rëndësishmja është se Kushtetuesja e konfirmoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë politik në vend.

“U konfirmua se vullneti i qytetarëve i përfaqësuar janë të gjitha partitë e jo vetëm vullneti i një partie. Tani duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve, parive politike të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Thaçi.

Presidenti ftoj liderët institucional e partiak që të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt demokratik.

Ai theksoi se duhet ta ruajmë rendin kushtetues dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që sipas tij po vlerësohet nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare.

“Të përqendrohemi në atë që ashtë kryesorja për qytetarët e Kosovës dhe të sjellim zhvillim prosperitet për të gjithë njerëzit në Kosovë. Të përqendrohemi në tejkalimin me sukses të pandemisë COVID-19dhe të punojmë sa më shpejt për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Thaçi.

Thaçi ftoj Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të saj që të marrin vendimin e merituar për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Presidenti po ashtu bëri thirrje edhe për ruajtjen dhe forcimin e partneritetit të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /